Lamtumirë Dwamena/ Trupi i futbollistit përcillet drejt Ganës, Egnatia rikthehet në fushë

15/11/2023 19:57

Kjo është një nga fanellat e fundit të Raphael Dwamenës, që veshi këtu në skuadrën e Egnatias.

Ka mbetur vetëm fanella, pasi ai nuk jeton më. Megjithatë skuadra e Egnatias është rikthyer në fushë me kokën ulur, për të vazhduar stërvitjen e saj, programin e saj, kampionatin e saj.

Pa lojtarin kryesor i cili në këto 10 muaj në Shqipëri shënoi 20 gola. Por ashtu sic e përmend ai vetë, do të kujtohej vetëm 3 ditë dhe më pas jeta vazhdon për të gjithë.

“Ai e dinte se diçka e tillë mund t’i ndodhte ma kishte thënë edhe në Turqi kur ishim vetëm. Ai thjeshtë dha jetën për futbollin. Gjithmonë më thoshte se do të më ndodhte një gjë e tillë, në stërvitje apo në ndeshje, pavarësisht kësaj ai vazhdoi të luante edhe pse e dinte se çfarë e priste”, tha Fernando Medeiros, futbollist i Egnatias.

Prej rreth 8 muajsh Raphael Dwamena jetoi pikërisht këtu në hotelin e ekipit bashkë me shokët e skuadrës, ku kaloi edhe pjesën më të madhe, pasi ganezi njihej si një djalë që nuk frekuentonte asgjë tjetër, veç stërvitjes dhe regjimit të ashpër sportiv prej profesionisti. I rritur pa prindër, guraja që i shërben futbollistëve ishte e vetmja që ai e thërriste mama.

Gjithçka e fundit nga sendet personale të Raphael Dwamenës u larguan ditën e djeshme nga kjo shtëpi ku ai kaloi ditët dhe javët e fundit, këtu në Shqipëri si futbollist i Egnatias, nga familjarët, bashkëshortja dhe miqtë që i kishin ardhur për të tërhequr trupin dhe për t’u nisur drejt Ganës.

Top Channel