Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk sheh problem për aleancën, në rastet kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan shpreh mbështetje për grupin palestinez Hamas, – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i cili aktualisht është në luftë me Izraelin.
“Nuk është asnjëherë e lehtë kur kemi pikëpamje të ndryshme brenda aleancës”, ka thënë Stoltenberg, në një intervistë për agjencinë e lajmeve dpa.
Shefi i aleancës ka thënë se, megjithatë, “kjo nuk ndikon në ndonjë mënyrë në atë që bëjmë, sepse ne nuk jemi duke luajtur rol në atë konflikt specifik”.
Pas sulmeve brutale të Hamasit në komunitetet izraelite më 7 tetor, në të cilat janë vrarë mbi 1.400 njerëz, Erdogani e ka përshkruar Hamasin si “grup çlirimtar”.
Si rezultat i luftës në Gazë, Erdogan i ka shkëputur kontaktet me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Netanyahu nuk është më bashkëbisedues për ne në asnjë mënyrë. Ne e kemi fshirë atë, e kemi kryqëzuar”, ka thënë Erdogan.
Presidenti turk e ka përshkruar me raste Izraelin si “shtet terrorist” për shkak të trajtimit të palestinezëve dhe vazhdimisht e ka prezantuar veten si kampion të kauzës palestineze.
Deri më tani, liderët tjerë të NATO-s nuk janë dëgjuar duke e kritikuar Erdoganin.
Stoltenberg i ka hedhur poshtë spekulimet se heshtja e anëtarëve të NATO-s mund të lidhet me mbajtjen peng të anëtarësimit të Suedisë në aleancë, nga ana e Turqisë.
“Këto janë dy çështje të ndara”, ka thënë ai.
Turqia dhe Hungaria janë dy vendet e vetme që ende nuk e kanë ratifikuar marrëveshjen për anëtarësim të Suedisë në NATO.
Turqia ankohet se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm për luftim të atyre që i quan militantë kurdë, një organizatë të të cilëve Ankaraja e konsideron terroriste./ rel
Top Channel