Një kërkesë e partive opozitare e detyron kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që të premten ta raportojë përpara Kuvendit për dialogun me Serbinë, sidomos draft-statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, shefat e Grupeve Parlamentare të subjekteve opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës insistuan se shefi i ekzekutivit e ka për detyrë të raportojë pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Në vazhdën e takimeve që ai dhe Aleksandër Vuçiç zhvilluan veçant me liderët europianë, Kurti u shpreh se e kishte pranuar propozimin për Asociacionin dhe ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje për normalizim të raporteve, por kjo është kundërshtuar sipas tij nga presidenti serb. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se Kurti duhet të sqarojë se më çfarë është pajtuar saktësisht dhe si do të dukej një Asociacion në bazë të propozimit evropian.
“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë qytetarët dhe ne si përfaqësues të qytetarëve se për çfarë është pajtuar Qeveria e Kosovës, në këtë rast përmes kryeministrit, në cilat pika dhe si do të jetë ai lloj Asociacioni”, u shpreh Abelard Tahiri.
Kurti ka deklaruar vetëm se drafti i propozuar për Asociaconin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Me kërkesë të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, dokumenti nuk është bërë publik.
Top Channel