Tirana humbet sërish. Pas disfatës 2-1 në derbin me Partizanin, bardheblutë e Julian Ahmatajt u mposhtën 2-3 nga Egnatia kryesuese në “Selman Stërmasi”.
Skuadra nga Rrogozhina vazhdon momentin fantastik, dhe me fitoren e sotme shkëputet në krye të renditjes me 19 pikë. 5 mbi Partizanin, por kampionët kanë luajtur dy takime më pak.
Sfida nisi shumë mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh në minutën e katërt falë golit me kokë të Bruno Lulajt.
Gjithsesi, Raphael Dwamena barazoi shifrat pas gjysmë ore lojë pas asistit të Sebastjan Spahiut nga krahu i majtë.
Festa e Egnatias zgjati 6 minuta, pasi braziliani Kaina shënoi me kokë pas krosimit të Fjoart Jonuzit nga e majta. Duke rikthyer Tiranën në avantazh.
Pjesa e dytë foli për miqtë, të cilët përmbysën rezultatin. Kapiteni Dwamena realizoi një eurogol në minutën e 53’. Ky ishte goli i tetë sezonal për afrikanin, i cili kryeson i vetëm renditjen e golashënuesve.
Goli i fitores erdhi dhjetë minuta më vonë. Lituanezi Gytis Paulauskas shënoi me kokë dhe vulosi triumfin e Egnatias, që i menaxhoi minutat e mbetura të takimit.
Në sekondat e fundit, Dwamena u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të patolerueshme kundër Filip Najdovskit.
Në minutën e 101′, Tirana kishte një shans të artë për të evituar humbjen, por ndërhyrja e Alen Sherrit dhe traversa evituan golin e bardhebluve.
Përfundimisht 2-3 për skuadrën e Edlir Tetovës që regjistroi një fitore të madhe në kryeqytet duke u konfirmuar në vendin e parë në Abissnet Superiore.
Top Channel