Kryefjala e arsimit këto tre javë ka qenë dhe mbetet, protesta e studentëve të mjekësisë që duken të palëkundur në kërkesat e tyre.

Studentët e mjekësisë vazhdojnë protestat para Ministrisë së Arsimit çdo ditë ku kërkojnë shfuqizimin e ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Gjithashtu ata nuk pranojnë tarifën e studimit 240 mijë lekë e cila u miratua pak ditë më parë nga bordi i administrimit. Çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3- deri në 5 vite në vendin e tij, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite studentët duhet të paguajnë 1.440.000 lekë.

Një ditë më parë studentët e Mjekësisë i janë drejtuar me një kërkesë edhe rektorit të UMT-së, Arben Gjatës që të kenë përkrahjen e Universitetit për protestën e tyre dhe bojkoti që vijon prej tre javësh.

Ata kërkojnë marrjen e masave për të mos lejuar pedagogët të ushtrojnë presion të çdo forme ndaj studentëve me qëllim detyrimin për ndalimin e bojkotit.

Ndërkohë ata e kanë dërguar çështjen e tyre në kushtetuese me shpresën se se kjo gjykatë do të vendosë në favor të tyre.

Por çfarë mendojnë qytetarët për këtë protestë të studentëve të mjekësisë, a i konsiderojnë ata të drejta kërkesat e tyre.

Top Channel i ka drejtuar lexuesve të tij pyetjen: A e konsideroni të drejtë bojkotin e studentëve të Mjekësisë?

60.18 përqind e tyre i janë përgjigjur pyetjes me “JO” nuk është e drejtë dhe vetëm 39.82 përqind e mbështesin protestën e studentëve.

Diferenca është e madhe, me sa duket qytetarët shqiptarë duan që të mos ketë më eksod të bluzave të bardha dhe mjekët e ardhshëm të qëndrojnë për të shërbyer në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA