Tifozët që ishin të pranishëm në ndeshjen Shqipëri-Çeki na sollën vërtet një atmosferë të bukur rrugëve të kryeqytetit me makinat që ‘ndizeshin” nga ngjyrat e simboleve kuqezi, duke u gëzuar në prag të një ndeshjeje vendimtare, të ekipit tonë kombëtar, siç ishte ajo kundër Çekisë.
Të gjithë u përfshinë në këtë atmosferë, që u bë edhe më fantastike, edhe më e madhe, dhe më e gëzueshme pas asaj fitoreje historike të kuqezinjve të kombëtares që shënuan 3 gola, të merituar ndaj Çekisë duke i hapur kështu rrugën Shqipërisë drejt Berlinit ku vitin e ardhshëm mbahet Kampionati Evropian i Futbollit.
Por e gjitha kjo e ka dhe një anë tjetër të medaljes.
Sigurisht që nuk ka gëzim pa adrenalinë, pa energjinë e duhur, dhe para ndeshjes shumë tifozë, pinë, hëngrën dhe gëzuan në baret e Tiranës, në rrugët por edhe në sheshet e kryeqytetit. Por ajo që lanë pas ishte një pamje aspak e bukur. Kudo mbeturina nëpër Tiranë, stadium, sheshe etj, kudo ku gëzuan dhe festuan tifozët kuqezinj.
Nuk do të ishte aspak e tepërt që gëzimit të fitores t’i shtonim edhe një gjest të bukur dhe qytetarie, siç është mbledhja e mbeturinave që vetë i kemi bërë.
Top Channel