Verë edhe në shtator në Vlorë, turistët e huaj zgjasin sezonin, plazhe më të qeta dhe det ende i ngrohtë Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim prezantoi mbrëmjen e kaluar PENA – Press Education & Newsroom Access, një program i ri fellowship i dedikuar zhvillimit profesional të gazetarëve të rinj shqiptarë.
Lançimi u bë në Piramidën e Tiranës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të gazetarëve dhe medias.
“Më shumë se kurrë është bërë e rëndësishme që ajo që ju shkruani, ajo që ju analizoni, të jetë brenda kërkesave për të paguar për të vërtetën. Shqipërinë kanë për ta bërë ata që do të guxojnë dhe në rastin tuaj, do të triumfojë ajo fjalë që ishte e para, për t’i dhënë vendin që duhet në raport me të vërtetën e madhe“, u shpreh drejtori ekzekutiv i AADF, Martin Mata.
Nga janari deri në mars, pjesëmarrësit do të ndjekin 48 orë trajnimi të avancuar në fusha si etika në gazetari, metodat investigative dhe gazetaria në epokën e Inteligjencës Artificiale, nën drejtimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas.
Në fazën e dytë, nga prilli deri në qershor, pjesëmarrësit do të zhvillojnë një fellowship tre-mujor pranë mediave të njohura në Shtetet e Bashkuara, duke fituar eksperiencë të drejtpërdrejtë në redaksi lajmesh dhe duke krijuar lidhje profesionale ndërkombëtare. Të përzgjedhurit që do të kualifikohen për këtë program do të përfitojnë pjesëmarrjen në të gjithë komponentët e tij, të mbështetur financiarisht nga AADF.
Faza përmbyllëse, nga korriku deri në shtator, do t’u japë pjesëmarrësve mundësinë të zhvillojnë një projekt individual gazetarie të lidhur me ekspertizën dhe interesat e tyre profesionale. Për realizimin e projekteve do të ofrohen edhe mikrogrante për kërkim, ndërsa produkti përfundimtar do të shërbejë si pjesë e portofolit profesional të secilit pjesëmarrës.
Programi synon gazetarë të rinj me potencial, kuriozitet profesional dhe dëshirë për t’u zhvilluar, për të sjellë ide të reja dhe për t’i kthyer ato në rezultate konkrete.
Me lançimin e PENA-s, aplikimet janë zyrtarisht të hapura deri më 1 nëntor 2026. Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të jenë 22–32 vjeç, të kenë të paktën dy vite eksperiencë profesionale në gazetari dhe të paraqesin shembuj të punës së tyre gazetareske të realizuar gjatë dy viteve të fundit.Përmes PENA-s, AADF synon të krijojë një urë mes edukimit profesional, eksperiencës ndërkombëtare dhe praktikës konkrete, duke investuar në një brez gazetarësh të aftë të përshtaten me transformimet e shpejta të medias dhe gazetarisë.
Top Channel