Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në Bruksel për ditën e dytë të punimeve të një samiti ku diskutohet Ukraina, Izraeli por edhe misioni i aleancës në Kosovë.
Duke folur në krah të shefit të Pentagonit, Lloyd Austin, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, u shpreh këtë mëngjes se ministrat po diskutojnë mbi një sërë çështjesh duke nisur nga mënyrat për të mbështetur Kievin, aftësitë sulmuese dhe ato mbrojtëse të aleancës, e deri tek operacionet në Kosovë e Irak.
“Ministrat janë informuar mbi të gjitha këto çështje, përfshirë dhe informacionet e fundit mbi sulmet e tmerrshme terroriste kundër Izraelit gjatë fundjavës nga Hamasi. Aleanca ushtarake e vlerëson vërtet shumë lidershipin amerikan për të gjitha këto çështje, por edhe aleatët europianë dhe Kanadaja e kanë shtuar angazhimin e tyre e po ofrojnë gjithashtu mbështetje thelbësore për Ukrainën”, tha Stoltenberg.
Një ditë më parë, Stoltenberg, e cilësoi si të rëndësishëm shtimin e trupave të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, si pasojë e sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Disa ditë më parë, 200 ushtarë britanikë mbërritën në Kosovë, të cilët iu bashkuan kontingjentit britanik prej 400 ushtarësh që ndodhej tashmë atje.
“Kemi parë rritje të re të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, deklaroi ai. Gjermania po kështu ka njoftuar se do të dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm.
Top Channel