Gjykata Speciale, Hamza paralajmëron hapa konkretë: Do të takohem me liderët politikë, PDK ka gati 22 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme

17/09/2026 14:38

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar konsultime me liderët e partive politike për të diskutuar mundësinë e ndërmarrjes së një iniciative ligjore në Kuvend lidhur me Gjykatën Speciale.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se çështja e Gjykatës Speciale dhe aktgjykimeve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së nuk duhet të trajtohet si çështje që i përket vetëm një force politike.

Ai theksoi se synon të zhvillojë takime me përfaqësuesit e subjekteve politike, me qëllim krijimin e një qëndrimi të përbashkët për situatën.

“Do të bëj të gjitha përpjekjet të jemi në komunikim për shkak të seriozitetit të situatës. Kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, PDK do të propozojë veprime konkrete ligjore dhe demokratike, duke kërkuar që çdo reagim të zhvillohet brenda institucioneve dhe rregullave demokratike.

“Ne e njohim të drejtën e njerëzve për të protestuar, por megjithatë, për hir të vendit dhe seriozitetit, kërkojmë që gjithçka të jetë brenda rregullave demokratike, të jetë e kujdesshme dhe në asnjë formë të mos dëmtohet askush, asnjë institucion apo njeri”, u shpreh kreu i PDK-së.

Hamza foli gjithashtu për mundësinë e thirrjes së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Ai bëri të ditur se PDK i ka siguruar tashmë 22 nënshkrime, të nevojshme për kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa vendimi për procedimin e saj do të varet nga zhvillimet dhe nevojat e krijuara.

Lidhur me mundësinë e ndryshimit apo zhbërjes së Gjykatës Speciale, Hamza sqaroi se PDK nuk po e paraqet çështjen në këto terma.

“Ne nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, por për përshtatje me një situatë të re”, tha ai.

Hamza theksoi se PDK nuk synon të pengojë punën e Gjykatës dhe se mbetet e rëndësishme që ajo të përmbushë detyrimin për të hetuar dhe verifikuar gjetjet e raportit të Dick Martyt, për të cilin u krijua.

Kreu i PDK-së nënvizoi se hapat e mëtejshëm do të diskutohen me subjektet e tjera politike, me synimin për të arritur një konsensus sa më të gjerë institucional.

Top Channel