Prezantuesja australiane Cheng Lei e cila u arrestua për spiunazh, është liruar pas tre vitesh burg që bëri në Kinë, njoftoi sot kryeministri i Australisë Anthony Albanese.
“Ne jemi të kënaqur të konfirmojmë se shtetasja australiane zonja Cheng Lei ka mbërritur e sigurt në shtëpinë e saj në Australi dhe është ribashkuar me familjen e saj”, tha Albanese në një deklaratë.
“Kthimi i saj do të mirëpritet ngrohtësisht jo vetëm nga familja dhe miqtë e saj, por nga të gjithë australianët”, thuhet në deklaratë.
Cheng, një ish-spikere për transmetuesin shtetëror të Kinës CGTN dhe nënë e dy fëmijëve, u akuzua për shpërndarje të paligjshëm të sekreteve shtetërore jashtë shtetit, një akuzë që mbart një dënim të mundshëm nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm.
Cheng ishte nisur për në punë mëngjesin e 13 gushtit 2020, kur ajo u mor nga Ministria e Sigurimit të Shtetit të Kinës, sipas partnerit të saj Nick Coyle.
Pekini nuk zbuloi detaje të akuzave kundër Cheng gjatë tre viteve të paraburgimit të saj dhe gjykata kineze vonoi disa herë dhënien e vendimit.
Lirimi i saj pason përfundimin e procesit ligjor në Kinë. Menjëherë më pas, Ministria e Sigurisë së Shtetit të Kinës tha në një deklaratë se Cheng u deportua sot, pas përfundimit të dënimit të saj.
Ministria pretendoi se Cheng u afrua me një organizatë e huaj në maj 2020 dhe në kundërshtim me marrëveshjen e konfidencialitetit që ajo nënshkroi me punëdhënësin e saj, i dha organizatës sekretet shtetërore që kishte mbledhur nga puna e saj përmes telefonit të saj celular. Ministria pretendon se Cheng e kishte pranuar fajin dhe ishte dënuar me 35 muaj burg.
Në një konferencë, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin tha se autoritetet gjyqësore kineze shqyrtuan rastin e Cheng dhe dhanë një vendim në përputhje me ligjin dhe kishin garantuar plotësisht të drejtat e saj, duke përfshirë lejimin e vizitave konsullore.
Autoritetet australiane kanë shprehur më parë shqetësimin për ndalimin e Cheng-ut mes sugjerimeve nga analistë, se lidhjet e tensionuara midis Kanberrës dhe Pekinit mund të kenë dhënë shtysë për çështjen kundër saj.
Vëzhguesit kanë kritikuar gjithashtu procesin gjyqësor të fshehtë dhe me dyer të mbyllura të Kinës për çështjen e Cheng. Sistemi gjyqësor i Kinës është jashtëzakonisht i errët dhe shkalla e dënimit është mbi 99 për qind.
Në mars të vitit të kaluar, ambasadorit të Australisë në Kinë iu refuzua hyrja në fillimin e gjyqit të Cheng në Pekin, një veprim që ai e quajti “thellësisht shqetësues”.
Rastet që lidhen me sigurinë kombëtare zakonisht gjykohen me dyer të mbyllura në Kinë. Por mungesa e transparencës në rastin e Cheng, në sfondin e përkeqësimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe Australisë shkaktoi shqetësime nga analistë se akuzat mund të jenë të motivuara politikisht.
Menjëherë pasi Cheng u arrestua, dy gazetarë australianë që punonin në Kinë u larguan nga vendi pasi autoritetet u përpoqën t’i merrnin në pyetje për arsye sigurie kombëtare, duke lënë mediat australiane pa asnjë gazetar në Kinë për herë të parë në gati 50 vjet.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë qetësuar muajt e fundit, me tregtinë në rritje dhe një qeveri të re australiane.
Në konferencën për shtyp Wang, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, u pyet nëse marrëdhëniet midis Kinës dhe Australisë do të përmirësohen më tej, tani që çështja e Cheng është zgjidhur.
“Një marrëdhënie e shëndetshme dhe e qëndrueshme Kinë-Australi u shërben interesave të dy vendeve dhe popujve dhe është e favorshme për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë. Kina është e gatshme të punojë me Australinë për të promovuar përmirësimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve për përmirësimin e dy popujve, tha Wang.
Top Channel