Vjeshta vazhdon të sjellë flukse të reja turistike në Durrës duke e zgjatur sezonin deri në nëntor. Rezervimet në hotele janë të shumta, ndërsa vazhdojnë.
Në këtë stinë, turizmi kulturor ndërthuret me shfrytëzimin e plazhit për banjo dielli dhe uji, si dhe larminë e relievit për të eksploruar edhe zonat kodrinore dhe agroturizmet e shumta. Nga kompani të huaja Durrësi po kthehet edhe në destinacion për konferencat e punës. Nuk mungojnë as koncertet në bregdet.
“Ky sezon turistik pritet të zgjasë deri në tetor dhe nëntor për shkak të temperaturave të larta, po dhe se fillon një sezon i ri i trajnimeve dhe workshops”, shpjegoi menaxherja e një hoteli.
“Këtë vit janë ndërgjegjësuar edhe subjektet turistike, që me zgjatjen e sezonit kanë marrë masa për ta mbajtur hapur aktivitetin deri në nëntor. Kjo ka lidhje me programimin e punëtorëve dhe strukturave për të qenë aktive gjatë të gjithë kësaj vjeshte”, tha kreu i ATA Durrës, Eduard Xhepa.
Turistë të shumtë mbërrijnë çdo ditë për të shijuar vjeshtën e ngrohtë dhe gjithçka ofron vendi ynë.
“Kemi mikpritur mysafirë nga mbarë bota, po kryesisht nga Amerika, Evropa Perëndimore dhe vendet nordike”, shpjegoi menaxherja,
“Ne frekuentohemi kryesisht nga italianët, por dhe nordikët pasi klima jonë është shumë e mirë. Ka nga e gjithë bota”, tha Eduard Xhepa.
“Të udhëtosh në vjeshtë është periudha më e mira për ne. Shqipëria duket një vend i sigurtë për të udhëtuar dhe ne jemi shumë të kënaqura nga shërbimi në hotel. Temperaturat janë të këndshme. Njerëzit gjithashtu. Çmimet janë të mira. Ushqimi i mirë”, u shpreh një turiste.
“Rezervuam paketë të plotë që nga Norvegjia dhe jemi të kënaqur me gjithccka. Hoteli është shumë i mirë dhe deri tani kemi ngrënë shumë ushqim italian, po presim të shijojmë ushqim tradicional shqiptar”, tha turistja norvegjeze.
Në këtë stinë, shumica e subjekteve i kanë ulur çmimet duke ruajtur cilësinë e shërbimit, ndërsa qetësia i josh dhe më shumë turistët.
“Luhaten 20-30 % më pak se piku dhe në rajon jemi sh konkurues. Po shikojmë që prodhimi vendas të zërë vendin që i takon në strukturat turistike, pasi përveç bukurisë natyrore turistët duan të shijojnë prodhimet karakteristike tonat”, u shpreh Eduard Xhepa.
“Patjetër që ka një zbritje të çmimeve por duke mbajtur standardin tonë”, tha menaxherja.
E ndërsa Shqipëria është kthyer në destinacion gjithnjë e më tërheqës, operatorët turistikë po marrin masa për të përmirësuar më tej kapacitetet dhe standardet që ofrojnë. Kreu i shoqatës së turizmit për Durrësin Eduard Xhepa i bën thirrje profesionistëve shqiptarë të turizmit që të kthehen nga emigracioni dhe ta japin kontributin e tyre në vend, duke mbuluar nevojat e shumta në këtë sektor dhe përfituar nga mundësitë e arta që ofron ai.
Top Channel