Qeveria propozon krijimin e rezervave strategjike të naftës, krijohet Autoriteti i ri dhe parashikohet tarifë mbi karburantet

16/09/2026 21:22

Këshilli i Ministrave ka miratuar më 16 shtator projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, i cili synon garantimin e sigurisë së furnizimit me naftë dhe nënprodukte në Republikën e Shqipërisë.

Sipas projektligjit, rezervat e sigurisë do të krijohen gradualisht, me objektiv që Shqipëria të arrijë një nivel prej të paktën 90 ditësh të importeve neto ose 61 ditësh të konsumit të brendshëm, duke marrë si referencë sasinë më të madhe.

Për administrimin e këtyre rezervave parashikohet krijimi i një strukture të re publike, Autoritetit për Rezervën e Sigurisë së Naftës. Autoriteti do të jetë person juridik publik jofitimprurës, në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë, dhe do të ketë përgjegjësinë për krijimin, blerjen, shitjen, depozitimin dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë.

Projektligji parashikon gjithashtu një tarifë për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë, e cila do të aplikohet mbi produktet energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës, përfshirë edhe karburantin e aviacionit.

Megjithatë, projektligji nuk përcakton një vlerë konkrete të kësaj tarife në lekë për litër apo kilogram. Shuma do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë dhe ministrit përgjegjës për financat, në bazë të nevojave për financimin e rezervave.

Rezervat mund të depozitohen drejtpërdrejt nga Autoriteti ose nga operatorë ekonomikë, në bazë të marrëveshjeve kontraktore. Në çdo rast, ato duhet të jenë fizikisht të disponueshme, të aksesueshme dhe të kontrollueshme dhe nuk mund të përdoren si garanci, peng apo të jenë objekt i kufizimeve që cenojnë përdorimin e tyre në rast emergjence.

Në rast të ndërprerjes së furnizimit me nënprodukte të naftës ose të një rritjeje të ndjeshme të çmimeve të tyre në tregun ndërkombëtar, Këshilli i Ministrave do të mund të marrë vendim për përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit.

Plani do të përcaktojë arsyet e përdorimit të rezervave, afatet e lëvrimit dhe furnizimit të tregut, llojin dhe sasinë e produkteve që do të përdoren, si dhe mënyrën e zëvendësimit të rezervave pas përdorimit.

Projektligji parashikon edhe masa administrative për operatorët ekonomikë që shkelin rregullat. Gjobat variojnë nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë, në varësi të shkeljes. Në rastet e përsëritjes së kundërvajtjeve parashikohet edhe ndalimi i përkohshëm i aktivitetit për qëllime të rezervës së sigurisë.

Top Channel