VIDEO/ Mori pjesë në festën që simbolizon begatinë në Kosovë, presidentja Osmani shfaqet duke kërcyer Bashkimi Europian ka dalë me një deklaratë të gjatë rreth kërkesave dhe pritshmërisë të tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke i treguar të dy palëve se me kokëfortësinë që po tregojnë, janë duke rrezikuar mundësitë për avancim në rrugën europiane.
Në deklaratë, riktheksohet përgjegjësia e Kosovës dhe Beogradit për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, si element kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik.
“BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, thuhet aty.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar, nënvizohet më tej. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës, duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet, nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve, vazhdon deklarata që thekson se masat e ndërmarra nga Brukseli mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën.
BE-ja insistoi që themelimi i Asociacionit të ndodhë, e madje pa kushte. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
“Ajo se çfarë duam ne, çfarë kërkojmë është nisja e zbatimit bazuar në propozimin tonë, pa vonesa të mëtejme, dhe kjo përfshin edhe obligimin për të dyja palët që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura më herët në dialog”, u shpreh Borrell.
Thirrje për kthim urgjent në procesin e dialogut drejtoi edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili bisedoi për këtë çështje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën u takua së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Një bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për nevojën për të shtensionuar situatën dhe për angazhimin urgjent në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që lehtësohet nga BE-ja, që është kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin drejt Bashkimit Europian”, tha Chollet.
Pas reagimit të DASH, edhe Miroslav Lajçak u takua me Cholletin e Escobarin, duke deklaruar se: Kemi të njëjtin lexim të situatës në Ballkan, jemi në një linjë.
Top Channel