Avdullah Hoti kërkon seancë urgjente, deputeti i LDK-së: Kuvendi të miratojë rezolutë për shqyrtimin në Apel

21/09/2026 12:50

Ish kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar lidhur me vendimin Speciales në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Hoti kujtoi se pavarësisht faktit që njerëzit kanë dalë në rrugët e Prishtinës për të protestuar, parlamenti ende nuk ka zhvilluar as një seancë për të shprehur qëndrimin institucional të Kosovës.

Sot është dita e gjashtë e protestave pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, e megjithatë ende nuk është mbledhur Kuvendi i Kosovës për të debatuar dhe shprehur qëndrimet e Grupeve Parlamentare dhe të Qeverisë ndaj këtyre zhvillimeve. Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar. Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë. Para se gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, deklaron Hoti, deputet i LDK-së.

Hoti shton më tej se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë. “Populli i Kosovës nuk është duke heshtur.

Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohet NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS”, ishte mesazhi i tij.

Top Channel