Çfarë pritet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së? Liderët botërorë mblidhen në Nju Jork
CNN, MS NOW dhe Politico kanë njoftuar se do të padisin administratën e presidentit Donald Trump, pasi gazetarëve të tyre u është hequr aksesi në Shtëpinë e Bardhë.
Tre mediat kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Federale në Uashington, duke argumentuar se vendimi shkel të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së dhe cenon lirinë e shtypit.
Sipas draftit të padisë, akreditimet e gazetarëve janë revokuar pa njoftim dhe pa një proces të rregullt ligjor. Mediat pretendojnë se vendimi është marrë për shkak të raportimeve që administrata i ka konsideruar negative.
Pas vendimit, gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico u është mohuar hyrja në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. CNN dhe MS NOW janë penguar gjithashtu të përdorin pajisjet dhe pozicionet e tyre televizive në ambientet e jashtme.
Përplasja vjen pasi Trump deklaroi se nuk kishte pse t’i lejonte disa media të hynin në Shtëpinë e Bardhë, duke kritikuar raportimet e tyre. Tre organizatat mediatike thonë se kufizimi i aksesit dëmton jo vetëm gazetarët dhe mediat e përfshira, por edhe të drejtën e publikut për të marrë informacion të pavarur mbi aktivitetin e qeverisë.
Çështja pritet të shqyrtohet nga një gjykatë federale në Uashington. Mediat kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të akreditimeve dhe aksesit të gazetarëve të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Përplasja rikthen në vëmendje debatet ligjore mbi kufizimin e aksesit të medias në Shtëpinë e Bardhë. Në raste të mëparshme, gjykatat amerikane kanë shqyrtuar vendime të ngjashme që lidhen me akreditimet e gazetarëve dhe lirinë e shtypit.
Top Channel