Banorët e një prej qyteteve më të mëdha në veri të Kanadasë, Jellounajf, janë urdhëruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pas paralajmërimeve se zjarret pyjore mund të zgjerohen deri në fundjavë.
Kriza në këtë qytet shënon një tjetër kapitull të vështirë në përballjen e Kanadasë me zjarret pyjore.
Aktualisht, në këtë vend janë aktive më shumë se 1.000 zjarre në pyje, përfshirë 230 në territoret veriperëndimore, teksa Kanadaja, dhe një pjesë e mirë e botës, regjistrojnë të nxehtë ekstrem.
“Fatkeqësisht, situata jonë me zjarret e ka marrë rrugën e gabuar, pas zjarret që po digjen në Jellounajf tani përbëjnë kërcënim real për qytetin”, ka thënë Shane Thompson, ministër për Ambientin në Kanada.
Ai u ka kërkuar 200.000 banorëve të qytetit që të largohen nga ajo zonë deri në mesditën e së premtes.
“Dua ta theksoj se qyteti nuk është në rrezik urgjent. Por, pa reshje të shiut, zjarri mund të arrijë në paralagje deri në fundjavë. Ju e rrezikoni veten dhe të tjerët nëse vendosni të qëndroni aty më vonë”, ka thënë ai.
Vetëm një autostradë do të jetë e hapur në atë zonë, ndërsa fluturimet komerciale dhe ushtarake do të ndryshojnë drejtimin.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë në platformën X, të njohur më parë si Twitter, se Otava do të ndihmojë “si të mundet”.
Erërat e forta besohet t’i kenë shkaktuar zjarret, prej të cilave tashmë janë evakuuar edhe plotë qyteza tjera në Kanada./REL
Top Channel