Një turist ka shkaktuar zemërimin e dhjetëra italianëve, pasi ai shkroi “Ivan + Hayley 23’” në murin e Koloseut të lashtë të Romës.

Një kalimtar i rastësishëm filmoi turistin teksa gdhendte emrat në muret prej guri të ndërtesës 1937-vjeçare duke përdorur çelësa.

Burri që gdhendte muret buzëqeshi në kamerë kur kuptoi se po filmohej.  Videoja u shpërnda në Reddit me mbishkrimin: ***** gdhend emrin në Koloseun në Romë.

Në video personi që e filmonte i tha turistit: A e ke seriozisht? Kjo është çmendur. Të tjerë komentuan duke i kërkuar personit që e publikoi videon që ta dërgonte në polici dhe ai të arrestohej.

Nëse kapet ai mund të përballet me një gjobë të madhe, e cila në të kaluarën ka qenë deri në 17,000 £. Ai madje mund të përballet edhe me një vit burg.

Në një deklaratë, Ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangioano, tha: Unë e konsideroj shumë serioze, të padenjë që një turist prish një nga vendet më të famshme në botë, një trashëgimi historike si Koloseu, për të gdhendur emrin e të fejuarës së tij. Shpresoj që kushdo që ka bërë këtë gjest në Amfiteatrin Flavian do të identifikohet dhe sanksionohet sipas ligjeve tona.

Kjo nuk është hera e parë që turistët gjobiten për vandalizimin e Koloseut, i cili besohet të jetë amfiteatri më i madh në botë. Në vitin 2020, një turist irlandez u arrestua pasi dyshohet se kishte gdhendur inicialet e tij atje.

Koloseu, i konsideruar si një nga shtatë mrekullitë e botës moderne, është një sit i Trashëgimisë Botërore së bashku me 54 vende të tjera italiane. Ndërtimi i Koloseut filloi diku midis viteve 70 dhe 72 të erës sonë dhe kishte rreth 50,000 spektatorë.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA