Sociologia dhe diplomatja, Ulpiana Lama, ishte e ftuar sot në emisionin e pasdites “Ftesë në 5”, me Bieta Sulon, ku foli për protestat e studentëve, rolin e të rinjve në shoqëri dhe rëndësinë e dialogut mes brezave.
Duke ndarë edhe përvojat e saj me protestat në vende të ndryshme të botës, Lama solli si shembull lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, duke theksuar se të rinjtë kanë forcën për të bashkuar njerëzit dhe për të sjellë ndryshime të rëndësishme.
Gjatë bisedës, Ulpiana Lama u ndal te përvojat e saj personale me protestat, të cilat, siç tregoi, e kanë shoqëruar edhe gjatë udhëtimeve të saj jashtë vendit.
“Mua më ndoqën protestat ku shkova. Isha në Francë dhe ishin jelekverdhët, shkova në Tajlandë, ku kishte një vit e gjysmë protesta nga të rinjtë, shkoj në Sarajevë dhe edhe aty ishin protestat në Beograd”, tregoi sociologia.
Duke i lidhur këto përvoja me situatën aktuale dhe protestat në vendin tonë, Lama theksoi se të rinjtë janë një forcë e rëndësishme për ndryshimin shoqëror dhe për të kërkuar vendin që u takon në jetë.
“Të rinjtë janë motori dhe forca për të kërkuar vendin e tyre në jetë”, u shpreh ajo.
Për të theksuar këtë rol, Lama solli në vëmendje lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, në vitin 1990, duke e cilësuar atë si një shembull domethënës të fuqisë bashkuese të studentëve dhe të aftësisë së tyre për të mobilizuar shoqërinë.
“Studentët e panë shumë të nevojshme, pra ishte ide e studentëve që të çoheshin në këmbë për t’i bërë bashkë njerëzit. Dhe ata zgjodhën një person si Anton Çeta dhe disa njerëz të tjerë të mençur dhe u thanë që ju duam juve”, rrëfeu Lama.
Ajo e përshkroi Anton Çetën si mishërimin e njeriut të urtë, i cili njihte nga afër njerëzit, kulturën dhe shpirtin shqiptar, duke ditur të komunikonte me të gjithë.
“Anton Çeta ishte mishërimi i njeriut të mençur, njeriut të urtë. Ai e kishte shkelur Kosovën, ishte albanolog, kishte shkuar në çdo qytet e fshat, e njihte shpirtin e shqiptarit dhe ata e zgjodhën sepse dinte të komunikonte dhe e gjeti gjuhën me të gjithë”, tha sociologia.
Sipas saj, kjo lëvizje ishte veçanërisht domethënëse sepse u zhvillua në një rrethanë kur mungonte shteti dhe shoqëria po përpiqej të organizohej përmes forcës së bashkimit dhe vullnetit qytetar.
Një tjetër çështje që Lama preku gjatë bisedës ishte trauma e vitit 1997 dhe rëndësia e diskutimit të saj brenda familjeve, veçanërisht mes prindërve dhe fëmijëve.
Ajo theksoi se këto përvoja nuk duhen lënë në heshtje, por duhet të diskutohen me kujdes dhe me gatishmërinë për të dëgjuar njëri-tjetrin.
“Trauma e ’97-s duhet folur, prindërit duhet ta flasin me fëmijën. Por flisni duke qenë në dëgjim. Jemi barrikaduar dhe këtu ndërpriten urat e komunikimit”, u shpreh Lama.
Në përfundim të bisedës, e pyetur nga moderatorja Bieta Sulo për një mesazh që mund të ndihmojë në urat e komunikimit, sociologia dha një përgjigje të thjeshtë, por domethënëse.
“Me shumë dashuri edhe me shumë durim, e ardhmja do të jetë më e mirë”, përfundoi Ulpiana Lama.
Top Channel