Çmimet janë ngadalësuar ndjeshëm për bizneset importuese. INSTAT bën me dije se indikatori i çmimeve të importit në tremujorin e parë të 2023-it është rritur me 10.7% nga e njëjta periudhë një vit më parë, por vetëm 0.6% në krahasim me tremujorin paraardhës.
Industria përpunuese ka një rritje me vetëm 0.8% në importimin e produkteve nga një vit më parë në totalin e saj. Nëngrupet e kësaj industrie që janë bërë më të shtrenjta përfshijnë konfeksionimin e veshjeve pasuar nga prodhimi i pijeve dhe përpunimi i tekstileve.
Për përpunimin e produkteve ushqimore, kostot e importit janë rritur me vetëm 0.7% ndërsa për prodhimin e pijeve vetëm 0.6%. Por, situata nuk po reflektohet njësoj në prodhimin e produkteve vendase. Indikatori që mat kostot e prodhimit u rrit me 9.4% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, por në krahasim me tremujorin paraardhës rritja ishte 1.5%, më e fortë se ajo e çmimeve të importit.
Nga një tremujor në tjetrin, rritjen më të madhe të kostove në prodhimin vendas e ka pësuar aktiviteti i nxjerrjes së naftës bruto dhe nxjerrjes së mineraleve metalore, duke vijuar me përpunimin e produkteve ushqimore dhe prodhimin e pijeve. Edhe grupi i energjisë elektrike dhe grupi i mobiljeve ka pasur rritje të konsiderueshme.
INSTAT shpjegon se nga një tremujor në tjetrin janë rritur më shumë kostot e prodhimit për produktet tregun vendas, sesa ato për produktet e eksportit, edhe pse eksportuesit tashmë po vuajnë nën kurriz edhe zhvlerësimin e euros.
Top Channel