Emërimi i prokurorit Ols Dados përfundon në Apelin Administrativ, hidhet shorti për ankimin e Veliajt
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur punën në terren për evidentimin dhe trajtimin e banesave që vijojnë të jenë pa dokumentacion pronësie.
Procesi ka nisur në 23 fshatra të Himarës, ku ekipet e ASHK-së do të jenë të pranishme sipas një kalendari të përcaktuar.
Qëllimi i kësaj nisme është që problematikat e dokumentacionit, regjistrimit apo përcaktimit të statusit të banesave të identifikohen dhe të trajtohen drejtpërdrejt në territor, duke e afruar shërbimin kadastral me qytetarët.
Nëpërmjet punës derë më derë, specialistët e ASHK-së do të kontaktojnë banorët e zonave të përfshira, veçanërisht familjet që përballen me problematika të trashëguara të dokumentacionit të pronësisë.
Sipas kalendarit të publikuar nga ASHK, puna ka nisur në Palasë, ku ekipet do të jenë të pranishme nga 10 deri më 18 shtator.
Procesi vijon si më poshtë:
Gjilekë, Dhërmi, Ilias dhe Vuno: 21 shtator – 5 tetor
Himarë: 21 shtator – 25 nëntor
Pilur, Kudhës dhe Qeparo Fshat/Fushë: 6 – 16 tetor
Kallarat, Vranisht, Tërbaç, Bolenë dhe Kuç: 19 – 26 tetor
Borsh, Fterrë dhe Çorraj: 27 tetor – 9 nëntor
Piqeras, Bunec/Sasaj, Lukovë, Shën Vasil dhe Nivicë/Heremec: 10 – 20 nëntor
Shërbimi zhvendoset pranë banorëve
Sipas ASHK-së, qasja e re synon të lehtësojë procedurat për qytetarët, sidomos për banorët e zonave rurale, të cilët shpesh përballen me problematika të vjetra sa i përket dokumentacionit dhe regjistrimit të pronës.
Në vend që qytetarët të udhëtojnë drejt zyrave për të ndjekur procedurat, ekipet e institucionit do të jenë në territor për të evidentuar problematikat dhe për të orientuar banorët mbi zgjidhjet e mundshme për pronat e tyre.
ASHK u bën thirrje banorëve të 23 zonave të përfshira në këtë proces që të njihen me datat e prezencës së ekipeve dhe të shfrytëzojnë kontaktin e drejtpërdrejtë me specialistët për problematikat që lidhen me dokumentacionin e banesave dhe pronësinë.
Top Channel