Gati për ndeshjen me Moldavinë/ Kuqezinjtë kërkojnë fitore. Flasin Ernest Muçi dhe Qazim Laçi

10/06/2023 15:20

Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive për dy takimet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Tashmë një javë nën urdhrat e trajnerit kuqezi Sylvinho në Shtëpinë e futbollit, djemtë e kombëtares vazhdojnë seancat stërvitore në ‘Shtëpinë e Futbollit’.

Grupi thuajse është kompletuar, teksa ditën e sotme janë bashkuar me ekipin edhe mbrojtësi Elseid Hysaj dhe sulmuesi Taulant Seferi. Sakaq, grupit pritet t’i bashkohen në vijim edhe Kristjan Asllani e Jasir Asani, njëri në finale e champions league-s mbërmjen e sotme dhe tjetri në kampionatin e Korsë së Jugut ku vazhdon të luhen ndeshjet e kampionatit. Ndërkohë në konferencën për shtyp ishin dy lojtarët Qazim Laçi dhe Ernest Muçi.

“Në mendimin tim, sot për sot nuk ka ekipe të dobëta dhe të forta. Të gjithë jemi njësoj. Kur luajmë në fushë, 11 lojtarë jemi ne, 11 lojtarë ka edhe skuadra tjetër. Ne jemi gati, kemi lojtarë me eksperiencë nga të gjitha kampionatet më të mira në Europë. Dhe do të bëjmë maksimumin tonë. E kemi për detyrim, sidomos në ndeshjen e parë në shtëpinë tonë, që ta fitojmë patjetër.”- tha Qazim Laçi, futbollist i kombëtares.

Ndërkohë për Muçin ky është grumbullimi i parë me trajnerin Brazilian.

“Ndihem shumë krenar dhe i lumtur që jam pjesë e listës për këto dy ndeshje. Trajneri ka besim tek unë, kam komunikuar dhe e shikoj që pret nga unë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares. Të gjithë sulmuesit kanë cilësi, kanë bërë mirë në ekipet e tyre. Konkurrenca është diçka e mirë për çdo futbollist. Rëndësi ka që Kombëtarja të fitojë. Jam i motivuar që të luaj sa më shumë dhe të ndihmoj Kombëtaren”- tha Ernest Muçi, futbollist i kombëtares.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Moldavisë më 17 qershor në stadiumin kombëtar “Air Albania”.

Top Channel