E kryer/ Trefishim page, Arsenali “blindon” liderin e prapavijës

10/06/2023 15:49

Arsenali ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës me William Saliba, me firmën që do të hidhet në javët e ardhshme.

22-vjeçari do të nënshkruajë një marrëveshje të re për të qëndruar në “Emirates Stadium” deri në 2027.

Performancat e Saliba në Premier League në sezonin 2022-23 kanë rënë në sy. Me francezin që impresionoi duke qenë një siguri në prapavijën e skuadrës së Mikel Artetës. Qendërmbrojtësi kishte rënë në radarët e shumë klubeve, në Premier League dhe jashtë saj.

Me vetëm një vit të mbetur në kontratë, Arsenali përballej me rrezikun që ta humbiste talentin e ri falas verën e ardhshme. Ose ta shiste për të fituar disa miliona. Edhe pse ishin në kontakt me agjentin e tij që prej Kupës së Botës një akord nuk ishte arritur ende.

Por tanimë me marrëveshjen e re, Saliba do të fitojë shumë më tepër se paga e mëparshme prej 40 mijë paundësh në javë. Duke parë statusin që ka fituar në skuadrën e Mikel Arteta.

Francezi (8 ndeshje me kombëtaren e Gjelave) ka qenë një pjesë e rëndësishme e formacionit që luftoi për titullin këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën të mbajë në 11 ndeshje portën të paprekur.

Mungesa e tij për shkak të një dëmtimi në fazën finale të sezonit koincidoi me kolapsin e Arsenalit në luftën për titullin. Arsenali ka “blinduar” së fundmi yje si Bukayo Saka, Gabriel Martinelli, Gabriel Magalhaes, dhe portierin Aaron Ramsdale.

Saliba ndiqej nga PSG , por më në fund Topçinjtë vendosën të plotësojnë pretendimet e tij për një pagë prej 120 mijë paundësh në javë. Sa trefishi i asaj që merrte deri tani.

Me rinovimin e kontratës së tij, nënkampionët e Anglisë garantojnë soliditet në prapavijë. Duke patur më pak nevojë për të nënshkruar me një tjetër qendërmbrojtës këtë verë.

Klubi po ndjek dhe Joao Cancelon dhe nëse e merr, Arteta mund të spostojë sërish White në qendër të mbrojtjes, pozicionin e tij natyral. Me portugezin dhe Takehiro Tomiyasu që do të luftonin për krahun e djathtë.

Top Channel