Një ndikues i mediave sociale vdiq menjëherë pasi mbylli lidhjen direkte në TikTok ku u përfshi në një sfidë live me një tjetër influencer.
I njohur në TikTok me emrin “Sanqiange” (emri i vërtetë është Wang) ai u bë pjesë e një sfide se cili pinte më shumë alkool. Pija alkoolike që dy influencuesit sfiduan njëri-tjetrin ishte një pije tipike kineze e njohur me emrin Baijiu me përmbajtje alkooli midis 30% dhe 60%, raporton Shangyou News.
Të tilla gara klasifikohen si sfidat “PK” dhe bëhen me qëllim që ndikuesit e TikTok-ut të fitojnë shpërblime dhe dhurata nga ndjekësit e tyre.
“Unë nuk e di se sa shumë kishte konsumuar para se të vdiste, por në pjesën e fundit të live-t, pashë që kishte përfunduar tre shishe përpara se të fillonte të katërtën“, tha një ndjekës dhe mik i tij që e identifikon vetëm me emrin Zhao.
“Sfida e pirjes së alkoolit përfundoi rreth orës 01.00 të mëngjesit dhe nga ora 13:00, familja e gjeti të vdekur”, shtoi ai.
Skema e transmetimeve të drejtpërdrejta që përdor TikTok ka krijuar një industri kolosale fitimprurëse që shkon në miliarda dollarë. Vdekja e Wang mund të nxisë sërish debatin për këtë platformë të kritikuar shpesh vitet e fundit, e cila ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve për shkak të stilit të jetesës luksoze që përdoruesit e saj reklamojnë dhe sfidave të çuditshme në të cilat ata marrin pjesë.
Vitin e kaluar, autoritetet në Kinë ndaluan të rinjtë nën moshën 16- vjeç që të bëheshin pjesë e lidhjeve të drejtpërdrejta në TikTok dhe kufizuan aksesin e tyre në këtë platformë pas orës 22:00.
*CNN
Top Channel