Në këtë ditë të zezë për median shqiptare, nga ku është realizuar një sulm barbar e terrorist ndaj Top Channel, me humbjen e jetës të rojës së sigurisë Pal Kola, kanë reaguar të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptarë.
Ata kërkojnë zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarjeje e vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.
Presidenti Bajram Begaj e quan një “ngjarje vërtet e rëndë dhe inkurajon organet ligj-zbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”.
Kryeministri Edi Rama bëri këtë reagim. “Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligj-zbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues”, tha ai.
E dënoi sulmin edhe kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla. “Sulmi me armë ndaj TV kombëtar “Top Channel” dhe vrasja e një prej personelit të sigurisë është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligj-zbatuese”, tha ajo.
Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel thotë ministri punëve të brendshme Bledi Cuçi. Policia e Shtetit thekson ai bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët.
Taulant Balla kryetar i grupit parlamentar socialist deklaroi se Sulmi terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar, ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola, është një akt tepër i rëndë dhe që kërkon një kundërpërgjigje të qartë dhe të fortë nga shteti. “I shpreh solidaritetin e plotë Lori Hoxhës dhe të gjithë punonjësve të Top Channel në këtë moment kaq shqetësues”, thekson Taulant Balla.
Ndërsa kryebashkiaku Tiranës Erion Veliaj shprehet: “Sot jemi të gjithë solidarë me Top Channel, pas aktit kriminal të mbrëmjes së djeshme, që i mori jetën një personeli të sigurisë.”
Sulmi me arme ndaj Top Channel thotë deputeti socialist Erion Braçe, është jo thjesht kriminal, por me i egri ndaj një mediaje në Shqipëri.
“Duke patur të shënjuar në mendje, humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias më të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe më i rëndë. Nuk është një ngjarje banale apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo. Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend. Ndaj secili sot duhet të dijë autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona”, tha Braçe.
“Tronditje për veprën kriminale të pasmesnatës në ambientet e televizionit kombëtar Top Channel”, thotë Elisa Spiropali ministre për marrëdhëniet me parlamentin. “Solidaritet me ekipin e Top Channel. Hetim dhe zbardhje sa më të shpejtë të ngjarjes. Ndëshkim të merituar autorëve të këtij akti kriminal nga më të rëndët”, kërkon Elisa Spiropali.
Top Channel