Kristian Prenga dhe Samuel Crossed do të matin forcat në një ndeshje të madhe në mëngjesin e datës 25 mars. Boksieri kuqezi, vijon përgatitjet intensive, me synimin e vetëm për të dhuruar një tjetër paraqitje të magjishme, ndaj një rivali tepër të fortë.
“Luftëtari” nga Mirdita tregon për SuperSportin se ka punuar shumë, vetëm e vetëm që të arrijë një tjetër sukses të madh, për të gjithë shqiptarët.
“Ndeshjen e datës 25 mars e pres si çdo ndeshje, por kjo sfidë ka më shumë përgjegjësi pasi janë dy tituj dhe barrën e kam shumë më të madhe. Me mua do të jenë shumë shqiptarë prezent.
Nëse humbas unë humbasin të gjithë ata që janë me mua. Jam përgatitur shumë për këtë ndeshje, kam derdhur djersë, gjak, lot, dëmtime. Jam stërvitur shumë fort, me tri seanca në ditë, me shumë orë, ndaj besoj shumë se do t’ju bëj krenar”.
Kundërshtari i tij numëron 11 fitore në boksin profesionist, prej të cilave 7 me KO, por Prenga ka shumë besim tek grushti i tij.
“Kundërshtarin e kam studiuar, ka një eksperiencë më të madhe se unë. Ka boksuar dhe për kampion bote. Nuk është keq, por shpresoj që me goditjet e mia dhe me grushtin e rëndë ta mposht atë”.
Boksieri kuqezi ka një premtim të madh për të gjithë. Ai beson se do të vijojë ecurinë mbresëlënëse, teksa ka marrë 12 fitore me KO, diçka që e synon hapur edhe ndaj amerikanit Crossed.
“Thirrja ime është për të gjithë shqiptarët në Amerikë që janë afër të vijnë e të më mbështesin jo vetëm për mua por për Shqipërinë, pasi unë përfaqësoj Shqipërinë. unë nuk jam më i miri, ndoshta s’do të jem më i miri por do të jap më të mirën dhe premtoj se nuk do t’u turpëroj atë natë. Shpresoj të shkojë gjithçka me KO, që mos të ketë askush çfarë të gjykojë, me stilin tim si gjithmonë”.
Sfida mes Prengës dhe Crossed do të vijë “live” dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSportit.
Top Channel