Pedro Acosta ka regjistruar fitoren e parë në karrierën e tij në MotoGP, duke triumfuar në Grand Prix të Austrisë pas plot 57 garash në klasën premier. Piloti spanjoll dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme në Spielberg, duke i siguruar KTM-së një sukses historik në shtëpinë e saj.

Acosta mori kryesimin pas vetëm pak xhirove, duke parakaluar Jorge Martin në përshpejtimin pas kthesës së parë. Kampioni i botës në MotoGP për vitin 2024 tentoi të reagonte, por në fund u detyrua të kënaqej me vendin e dytë.

Ky triumf kishte një rëndësi të veçantë edhe për KTM-në, pasi Acosta i dha skuadrës austriake fitoren më të madhe në pistën e saj vendase.

Fitorja e Acosta-s ndërpreu një seri prej 30 triumfesh radhazi të prodhuesve italianë, Ducati dhe Aprilia, e cila kishte nisur që nga vera e vitit të kaluar.

Në podium u ngjit edhe Marco Bezzecchi, i cili përfundoi në vendin e tretë, duke kompletuar një rezultat të rëndësishëm për Aprilian.

Pas tij e mbylli garën Ai Ogura i Aprilia Trackhouse, ndërsa Marc Márquez u rendit i pesti.

Piloti i Ducati-t nuk arriti të gjente ritmin e nevojshëm për të luftuar për podiumin dhe në fund u detyrua të kënaqej me vendin e pestë.

Pas Márquez u renditën Brad Binder, Francesco Bagnaia dhe Fermín Aldeguer.

Një tjetër zhgënjim ishte Alex Márquez, i cili pësoi aksidentin e tretë në vetëm tre ditë.

Piloti i Ducati Gresini u rrëzua në xhiron e 13-të nga 28, ndërsa ishte duke garuar brenda dhjetëshes së parë. Fatmirësisht, aksidenti nuk solli dëmtime për spanjollin.

Dhjetëshen e parë e kompletuan Fabio Di Giannantonio dhe Johann Zarco.

Pavarësisht se e humbi betejën për fitoren në Austri, Jorge Martin vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme.

Pas garës në Spielberg, Martin ka grumbulluar 306 pikë, duke mbajtur një avantazh prej 12 pikësh ndaj Marc Márquez, i cili ka 294.

Në vendin e tretë ndodhet Marco Bezzecchi me 264 pikë.

Kampionati mbetet kështu i hapur, me Martin dhe Márquez që vazhdojnë betejën për kreun, ndërsa triumfi i parë i Acosta-s i jep një tjetër dimension garës në pjesën e mbetur të sezonit.

Top Channel