“Rrëzohet” Celibashi/ KAS: Të vendosë për regjistrimin ose jo të Partisë Demokratike në zgjedhje

13/03/2023 12:21

Komisioni Ankesave dhe Sanksioneve nuk pranoi të marrë në shqyrtimin ankimimet për regjistrimin e PD së Alibeajt dhe PD së Berishës për lokalet e 14 Majit.

“Vendimi i Komisionerit datë 09.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”.

Në tryezën e KAS ishin dy ankesa nga juristët e dy grupimeve në PD por KAS, mini gjykata e KQZ, mbërriti në përfundimin se fillimisht duhet të jetë Ilirian Celibashi në marrjen e vendimit për mos regjistrimin e dy PD-ve. Vetëm atëherë kur të ketë një vendim të tillë nis puna e KAS.

Kjo do të thotë se vendimi Celibashit ku i jepte 48 orë kohë juristëve të PD së Alibeajt për plotësim dokumentacioni është nul. KAS kërkon nga Ilirian Celibashi të marrë vendimin për refuzimin e regjistrimit të Lulzim Bashës në KQZ si subjekt zgjedhor dhe më pas Basha përmes juristëve të ankimohet në KAS.

Juristët e çështjeve zgjedhore e shikojnë këtë zhvillim, si një ngutje pa vend të juristëve të Alibeajt. Ata duhet të ngulmonin në marrjen e një vendimi nga Celibashi e mandej ti drejtoheshin KAS. Ping Pongu regjistrimit të dy PD-ve edhe njëherë tjerë shkon në fushën e Ilirian Celibashit. PD e Alibeajt ngulmon në pretendimin se nuk është nevoja për dokumente shtesë të firmosura nga Basha për t’u regjistruar.

Ndërsa juristët e Berishës insistojnë se KQZ duhet ti njohë si zotërues të logos së Partisë Demokratike e si të tillë duhet ti regjistrojë.

Por pengesa më e madhe për të regjistruar PD e Berishës në zgjedhje është vendimi i Gjykatës së Apelit që çoi në rrëzimin e vendimit të Zhukrit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e Tiranës. Sali Berisha duke e parë me realizëm situatën pas vendimit të apelit, e ka gjetur zgjidhjen për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Ka një vendim të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje në koalicion. Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do të njohë zhvillime të reja dhe do të komunikohen nesër zhvillimet e reja“, tha Berisha.

Vendimi i KAS:

Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 29, të depozituar nga Partia Demokratike, z. Sali Berisha.

KAS konstatoi se ankuesi nuk legjitimohet sepse nuk ka interes të ligjshëm në një çështje që i përket një kërkuesi tjetër dhe KAS-i nuk ka kompetence për shqyrtimin e ankesës, pasi KSHZ nuk është shprehur me vendim përfundimtar për kërkesën e ankuesit.

Gjithashtu, KAS vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore nr. 31 të depozituar nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

KAS konstatoi se: “Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës me nr. 1337 Prot., datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA