“Fajësia dhe pafajësia janë individuale”/ Rama për Vlora Hysenin: Hetimet nuk janë “aktakuzë” ndaj mazhorancës

22/09/2026 15:48

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas masës së arrestit shtëpiak ndaj drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, duke kundërshtuar që hetimet apo masat e drejtësisë ndaj zyrtarëve publikë të interpretohen si një “aktakuzë” ndaj mazhorancës qeverisëse.

Sipas Ramës, veprimet e organeve të drejtësisë janë shprehje e pavarësisë së tyre dhe e parimit të barazisë para ligjit.

“E megjithatë, kurrsesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se pret që çdo dyshim i organit të akuzës ndaj Hysenit “të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor”, duke shtuar se drejtësia duhet të hetojë dhe gjykojë këdo, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Rama theksoi gjithashtu se fajësia ose pafajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë dhe gjykatës dhe nuk përbën përgjegjësi të shumicës qeverisëse.

“Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, tha Rama.

Ai kritikoi edhe gjykimin publik të personave nën hetim përpara vendimit të gjykatës, duke deklaruar se “çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar”, ndërsa “askush nuk është mbi ligjin”.

Top Channel