“Fajësia dhe pafajësia janë individuale”/ Rama për Vlora Hysenin: Hetimet nuk janë “aktakuzë” ndaj mazhorancës
Një delegacion eurodeputetësh dhe deputetësh shqiptarë ka zhvilluar një vizitë në zonën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit, në kuadër të diskutimeve mbi projektin e investimit dhe ndikimin e tij në mjedis dhe zhvillimin e turizmit.
Vizita është shoqëruar me protesta nga banorë të zonës dhe qytetarë të Vlorës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e projektit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë vizitës deklaroi se projekti synon të realizohet në përputhje me standardet europiane dhe me kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
Balla tha se, bazuar në informacionet e marra nga përfaqësuesit e qeverisë dhe institucionet përgjegjëse, angazhimet mjedisore të projektit synojnë të përmbushin ose edhe të tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian.
“Projekti synon të shërbejë si një shembull se si investimet e mëdha ndërkombëtare mund të realizohen në përputhje me standardet europiane, duke ndërthurur investimin e përgjegjshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase”, deklaroi Balla.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së vijës bregdetare dhe ekosistemeve natyrore, ndërsa u ndal te përfitimet që, sipas tij, investimi mund të sjellë për zonën përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale dhe përfshirjes së bizneseve e furnitorëve shqiptarë.
Një tjetër element i evidentuar nga Balla ishte qasja peizazhistike e projektit, duke përmendur sipërfaqet e gjelbra, ruajtjen e karakterit natyror të zonës dhe planet për gjelbërimin dhe mbjelljet.
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur për mënyrën se si është zhvilluar vizita, duke thënë se do të kishte preferuar që delegacioni të shkonte në zemër të Zvërnecit dhe të takohej me banorët.
“Nga mëngjesi deri tani pritej që ne të mbaronim vizitën. Vizita nuk ishte organizuar nga ne, por organizatorët kishin menduar një lëvizje ndryshe. Unë do të kisha preferuar të shkonim në zemër të Zvërnecit dhe të shikonim të paktën aeroportin e Vlorës, se pikënisja e shkatërrimit të një zone të mbrojtur është nga ai aeroport. Së dyti, të kishin takuar banorët”, tha Tabaku.
Top Channel