Në Kosovë opozita reagoi me qëndrime të ndara ndaj pajtimit arritur mbrëmë në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se me këtë pajtim Kosova humbi njohjen nga Serbia dhe fitoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e vlerësoi pajtimin e mbrëmshëm si një të arritur të madhe që rikthen normalitetin politik dhe sigurinë në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një postim në rrjetet sociale se 27 shkurti shënon një mundësi të humbur për Kosovën që të përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Ai akuzoi kryeministrin Kurti se ka degraduar siç tha në formë të pakthyeshme procesin e dialogut në Bruksel.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se marrëveshja për të cilën u pajtuan palët të hënën, përmban gjithçka përveç njohjes së ndërsjellë dhe ky sipas tij ishte qëllimi i Serbisë.

Zoti Abdixhiku tha se menaxhimi tërësisht i gabuar, sipas tij, i procesit të dialogut nga kryeministri Kurti përgjatë dy viteve të fundit, “ka zhvendosur procesin nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme”.

Por, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës. Ai tha se beson që në fazën vijuese e bisedimeve do të gjinden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej siç tha edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po përballen me kritika në vendet e tyre për shkak të qëndrimit ndaj propozimit evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese. Një pjesë e opozitës në Serbi pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dështim në proces, ndërsa në Kosovë kritikët thonë se propozimi paraqet krijim të një status quoje të re./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA