Aleksandar Vuçiç i ka shkelur prej vitesh vlerat dhe interesat e Bashkimit Europian dhe tani, duket ka ardhur koha që Beogradi të përballet me pasojat.

Në një koment mbi rrugën evuopiane të Serbisë, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”  vlerëson se varrimi me nderime ushtarake i kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiç, në prani të përfaqësuesve të lartë shtetërorë, ishte pika që “mbushi kupën”.

Sipas FAZ, Bashkimi Europian ka treguar tradicionalisht durim ndaj vendeve kandidate, duke marrë parasysh vështirësitë për të balancuar detyrimet evropiane me ndjeshmëritë kombëtare.

Por ky durim, argumenton FAZ, ka një kufi kur një qeveri shkel në mënyrë sistematike vlerat europiane. Gazeta akuzon Vuçiçin se ka minuar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ka shpërfillur parimet e shtetit të së drejtës, demokracinë dhe ndarjen e pushteteve, ndërsa ka ruajtur lidhjet me Vladimir Putinin dhe nuk u është bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë.

FAZ vlerëson se Serbia po ndjek tashmë një rrugë të ngjashme me Turqinë dhe Gjeorgjinë, negociatat e të cilave me BE-në janë pezulluar politikisht. Sipas gazetës gjermane, Këshilli Europian duhet të tregoje tashmë pasojat, megjithëse nuk pritet t’ia mbyllë përfundimisht Serbisë derën e BE-se përpara zgjedhjeve parlamentare të fundit të tetorit.

Për qytetarët serbë, përfundon “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, këto zgjedhje mund të përbëjnë shansin e fundit për të ruajtur një perspektivë europiane.

Top Channel