Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një lidhje me skype në Top Story komentoi takimin pa rezultat në Bruksel mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Më duhet të them që nuk kam informacion të drejtpërdrejtë nga tryeza e sotme, por nga ajo që kam ndjekur jemi ende larg tymit të bardhë që mund të pritej nga ky takim, parashikimi im ishte që nuk do të kishte një firmosje sot. Duket që jemi në një tym relativisht gri, lajmi i mirë është që nuk kemi tym të zi, lajmi jo i mirë është që ende dy skuadrat nuk kanë fituar besim në tryezën e bisedimeve dhe kjo duket qartë nga deklarimet pas takimeve. Palët në një proces futen në një lloj besimi ndaj njëra tjertës edhe deklarimet janë të koordinuara, në këtë prizëm e lexova edhe deklaratën e Borrell për mbajtjen e një takimi të radhës, duke u nisur nga fakti që në parim kanë pranuar propozimin franko gjerman që duket i mbështetur nga BE dhe SHBA, ndonëse unë kam pikëpyetje për mekanizmin garantues që do t’i jepte këtij plani emrin evropian”, tha Bushati.

Takimi trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga shefi i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka përfunduar pa marrëveshje në Bruksel. Ky takim pasoi pas takimeve veç e veç të Kurtit dhe Vuçiçit me evropianët.

Tashmë takimi radhës është planifikuar të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA