Nderimet e bëra ndaj Mlladiçit, kryeministri kroat kritikon ashpër Serbinë: Fyerje ndaj viktimave
Përplasja mes administratës Trump dhe disa prej mediave kryesore amerikane ka kaluar në gjykatë. Departamenti i Drejtësisë po mbron vendimin për t’u hequr aksesin në Shtëpinë e Bardhë gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico, duke argumentuar se disa prej raportimeve të tyre mund të lidhen me shqetësime të sigurisë kombëtare.
Në një dokument të dorëzuar në gjykatën federale në Uashington, administrata Trump argumenton se qasja në Shtëpinë e Bardhë është një privilegj dhe jo një e drejtë, edhe pse liria e shtypit mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, presidenti ka autoritet të kontrollojë aksesin e gazetarëve në zona të kufizuara të kompleksit presidencial, përfshirë Zyrën Ovale, kur në këto hapësira mund të ketë informacione të ndjeshme.
Në dokumentet e reja të gjykatës janë përfshirë edhe letra të dërguara nga Shtëpia e Bardhë te tre mediat. CNN kritikohet për raportimet mbi planet për ndërtimin e një bunkeri nën sallën e re të vallëzimit në East Wing, si dhe për disa materiale lidhur me luftën me Iranin.
MS NOW është kritikuar për raportimet mbi luftën në Iran dhe një hetim për rrjedhje informacioni. Ndërsa Politico është vënë në shënjestër për artikuj që lidhen me sanksionet ndaj Iranit, projektin e sallës së vallëzimit dhe Rusinë. Administrata u ka dhënë mediave afat deri të premten për të paraqitur kundërshtimet e tyre me shkrim.
CNN, MS NOW dhe Politico i janë drejtuar gjykatës federale, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të aksesit të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Mediat argumentojnë se administrata nuk u dha paralajmërim përpara ndalimit dhe nuk u ofroi gazetarëve mundësinë për ta kundërshtuar vendimin. Çështja pritet të shqyrtohet nga gjyqtari federal Timothy Kelly në Uashington.
Rasti është kthyer në një përballje të rëndësishme ligjore mbi lirinë e shtypit, aksesin e mediave në Shtëpinë e Bardhë dhe kompetencat e presidentit për të kontrolluar hyrjen në ambientet presidenciale.
Ndërkohë, disa media të mëdha amerikane kanë pezulluar mbulimin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve të Trump nga brenda Shtëpisë së Bardhë, në shenjë reagimi ndaj kufizimeve të vendosura ndaj gazetarëve.
Top Channel