Tërmeti nuk vrau gjithçka! Ekipet e futbollit të qyteteve të shkatërruara do vazhdojnë ndeshjet

09/02/2023 19:42

Mes mijëra viktimave të tërmetit të së hënës në Turqi janë edhe disa futbollistë, një pjesë e tyre të konfirmuar që kanë ndërruar jetën, një pjesë ende me shpresën për t’u gjetur gjallë nën rrënja dhe të tjerët ia dolën t’i shpëtojnë.

Top Channel mundi të kontaktojë me ndihmësin e Vincenzo Montelës, Pierpaolo Polino, përgatitësi atletik i Adana Demirspor.

“Për fat të mirë atë mëngjes të së hënës nuk ishim në Adana, ishim në Stamboll për ndeshje kështu që nuk e ndjem në mënyrë të drejtpërdrejtë tërmetin. Një pjesë e stafit tonë por edhe familjarë të lojtarëve që ishin atje na kanë dhënë lajme jo të mira, për fat të keq ka patur edhe viktima.”- tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor

Keni pasur pjesë të stafit apo lojtarë që kanë humbur?

“Bashkëpunëtorët tanë të afërt për fat nuk kanë humbur jetën, por shtëpiat, dhe tashmë flen nëpër rrugë. Klubi reagoi shpejt dhe transferoi të gjithë skuadrën, lojtarët familjarët të gjithë në Antalia dhe kanë qëndruar atje këto dy ditët e fundit. Nga ne pjesa e futbollit nuk kemi pasur viktima, por aty pranë nesh në Adana është një kompleks tenisi ku ka patur shumë viktima edhe mes fëmijëve.”- tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor 

Pas dy ditëve pushim nga trajneri Montela, skuadra i rikthehet përgatitjeve për rifillimin e kampionatit.

“Për ne është e çuditshme që kthehemi këtu pas dy ditësh pasi na duhet të bëjmë stërvitje mbrëmjen e sotme për të përgatitur një ndeshje që do të luhet pas 10 ditësh siç na njoftoi federata. Do të luajmë me Hatain, një skuadër që deri dje, ka ende persona të humbur mes rrënojave kështu që nuk e di, nuk di as çfarë të them.”tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor 

Po si mund t’i përgatisni lojtarët në mesin e kësaj tragjedie, si mund t’i flisni për përgatitjen e një ndeshjeje?

“As lojtarët nuk e kanë mendjen tek futbolli e kanë tek ajo që kanë humbur, por ne nuk bëjmë asgjë tjetër, thjesht luajmë futboll. Kjo është një lojë dhe na duhet të argëtojmë njerëzit, por në një situatë si kjo nuk e di se kush mund të argëtohet, megjithatë ne jemi profesionist, paguhemi për këtë gjë dhe nëse organizatorët vendosin të luajnë ne do të luajmë”, tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor.

Do të luani në stadiumin tuaj në Adana, po a është ai i paprekur nga tërmeti?

“Një pyetje e bukur por nuk e di, mund të them që qendra stërvitore është e ndërtuar me drru dhe deri diku është e sigurtë pasi aty kanë strehuar edhe disa familje, por për stadiumin nuk di të them, por dikush do ta verifikojë përpara se të na fusin të luajmë, kështu shpresoj të paktën”, tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor.

E mendoni këtë vendim të federatës si një iniciativë për të treguar se jeta vazhdon?

“Shpresoj që kjo mund të jetë një pikë rifillimi dhe ndoshta do të jetë futbolli pikënisja dhe këtë moto duhet të ketë që jeta vazhdon. Shpresoj që ka qenë edhe ky qëllimi i federatës pasi nuk gjej argumenta të tjerë për të filluar kampionatin kaq shpejt.”- tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor.

Keni frikë të ktheheni?

“Jam i preokupuar por jo vetëm për faktin që toka mund të lëkundet sërish, por për njerëzit që janë të përfshirë në të gjithë këtë dhe që po përpiqen ditë pas dite të mbijetojnë. Ka vende ku ndihmat ende nuk kanë shkuar, edhe për veten jam i shqetësuar por ne do të shkojmë në Antalia, megjithatë më shqetëson fakti për situatën që do të gjejmë në Adana pas një jave”, tha Pierpaolo Polino, përgatitës atletik i Adana Demirspor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA