Qyteti Studenti është zona ku banojnë mijëra studentë të vendosur në konvikte apo shtëpitë me qira në zonë. Ndonëse duhet të ishte ambienti më i sigurtë, të rinjtë që vijnë nga qytete të ndryshme për të studiuar në Tiranë, realiteti është krejt ndryshe.
Në rrugët e Qytetit Studenti lëvizin shtetas jo rezidentë, që sikurse të rinjtë rrëfejnë, ngacmojnë seksualisht vajzat. Sikurse duket nga një vëzhgim që “Top Story” ka bërë, shumë rrugë janë pa ndriçim, ndërkohë që nuk duken patrullime nga policia.
Tre studente dhe aktiviste të “Qëndresës Qytetarë”, tregojnë në studion e “Top Story” sa të pasigurta ndihen dhe sa e rrezikshme është jetesa, sidomos për vajzat, në Qytetin Studenti.
“Nuk ka ndriçim të vazhdueshëm dhe kjo është një nga shkaqet kryesore të ngacmimeve që ndodhen gjatë natës. Një nga aktivitetet tona brenda Lëvizjes për Universitetit është ngacmuar seksualisht në rrugë. Kur ka shkuar në polici, efektivët kanë përdorur gjuhë seksiste. Polici i ka thënë që ke lëvizur në një orë që ti e dije që ndodhin gjëra të këqija”, thotë Loreta Koleci.
Gresimela Sula tregon se disa ditë më parë është larguar nga Qyteti Studenti dhe një ndër arsyet ka qenë fakti që ndihej e pasigurt:
“Kam ikur para disa ditësh nga QS. Godinat jo vetëm që nuk kanë kushte, por nuk kanë as siguri. Unë kam pasur mundësi të flas me disa vajza dhe njëra më tha që kthehej në shtëpi me taksi, sepse nuk ndihej e sigurt. Ka të tjera që kthehen në këmbë, por janë gjatë gjithë kohës në ankth.
Një nga arsyet pse familjarët na regjistrojnë në konvikte është se mendojnë që ne ndihemi më të sigurta. Por, kjo nuk është e vërtetë. Unë kam jetuar për dy vite në Qytetin Studenti. Pas orën 22:00 kalon një patrullë policie për një arsye të vetme: për t’u vënë gjoba makinave”.
Flavia Osmani shprehet se studentët janë të braktisur. Konviktet jo vetëm që nuk kanë kushtet e duhur për të jetuar, por janë të pasigurtë.
“Dukuria e ngacmimeve seksuale ndodh kryesisht në zonat jashtë unazës. Unë vetë jetoj në zonën e Astirit. Pushteti dhe qeveria nuk mendon aspak për studentët. Studentët janë pothuajse të braktisur. Braktisja e konvikteve nuk është e rastësishme”.
Top Channel