Dhjetëra tërmete të fuqishme godasin Turqinë dhe Sirinë/ Mbi 3 mijë viktima, moti vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit

06/02/2023 18:36

1.762 të vdekur në Turqi dhe më shumë se 1.293 në Siri, ky është bilanci tragjik i tërmetit të fuqishëm 7.8 ballë të shkallës Rihter që goditi dy vendet këtë të hënë gjatë orëve të para të mëngjesit, duke sjellë pasoja katastrofike.

Mbi 13 mijë persona raportohet se janë plagosur në të dy shtetet. Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet, ndërsa epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe në shkallë prej 7.7, 6.7 apo 6 Rihter. Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave, ndërsa në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti. Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij ranë.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane. Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme. Afërsisht 18.000 persona janë vrarë nga tërmetet e fuqishme që kanë goditur shtetin në vitin 1999.

17:23  Mbi 800 viktima nga tërmeti në Siri/ Apeli i ekipeve të shpëtimit: Na ndihmoni të shpëtojmë njerëzit tanë

Dhjetëra njerëz janë ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti në Siri, teksa ekipet e shpëtimit janë në luftë me kohën për të shpëtuar sa më shumë të mbijetuar. Ekipet e shpëtimit që po punojnë në terren nuk janë mjaftueshëm për të kërkuar në çdo ndërtesë. Ismail Alabdallah, pjesë e skuadrave të shpëtimit apelon për ndihmë.

17:22  Mbi 2 mijë viktima nga tërmeti në Turqi/ I ftohti vështirëson situatën, ekipet e shpëtimit në luftë me kohën

Ekipet e kërkim-shpëtimit në Turqi dhe në Siri janë në luftë me kohën për personat e mbetur nën rrënoja ka tërmeti, teksa situate ka marrë përmasa katastrofike me 2,361 viktima. Pothuajse 1,500 njerëz janë konfirmuar të vdekur në Turqi dhe më shumë se 800 në Sirinë fqinje, ndërsa numri ka gjasa të rritet. Këshilltari i Erdogan, lnur Cevik thotë se ekipet janë në luftë me kohën për nxjerrjen e trupave dhe nuk janë aspak të favorizuar nga moti i ftohtë.

 16:43 Izraeli do të dërgojë ekipe shpëtimi në Turqi dhe Siri

Izraeli do të dërgojë ekipe kërkim-shpëtimi dhe ndihmë mjekësore në Turqi dhe Siri. “Kjo është ajo që ne mund të bëjmë në ndihmë të fqinjëve tanë,” tha kryeministri Benjamin Netanyahu. Netanyahu tha se ndihma ishte në përgjigje të një kërkese nga qeveria turke dhe një kërkesë për viktimat në Siri, pa specifikuar burimin. Siria nuk e njeh Izraelin dhe të dy vendet janë në gjendje lufte që nga viti 1948. Izraeli dhe Turqia rivendosën marrëdhëniet diplomatike vetëm në gusht pasi Turqia i ndërpreu marrëdhëniet pas një incidenti vdekjeprurës në 2010.

14:32 Babi e përqafon mes lotëve, 5-vjeçarja nxirret e gjallë nga rrënojat pas 7 orëve

5-vjeçarja Ajshe, e cila ishte nën rrënoja në Kahramanmaraş, u shpëtua nga tërmeti pas 7 orëve., Ndërtesa 6-katëshe, e vendosur në qendrën e qarkut Kahramanmaraş, Pazarcık, u shemb nga tërmeti me magnitudë 7.7 që ndodhi në mëngjes. Nën rrënoja mbeti edhe familja Güneş me 4 anëtarë që jetonte në ndërtesë. Disa orë më vonë, zëri i Ajshes, vajzës së vogël të familjes, u dëgjua.

14:24 “Mund të ketë deformuar bregdetin”/ Sizmologu tregon dinamikën e tërmetit: Ndodhi në pikën e takimit të tre pllakave

Tërmeti me magnitudë 7.8 që ndodhi mëngjesin e sotëm në Turqi dhe goditjet e shumta pasuese, u shkaktuan nga një prej dy çarjeve kryesore të pranishme në Turqi, ai i Anadollit Lindor. “Tërmeti ndodhi në thyerjen e Anadollit Lindor, në pikën e trefishtë ku bashkohen blloqet e Anadollit, Arabisë dhe Afrikës” , tha sizmologu Alessandro Amato , i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë ( Ingv ).

14:19 “Do të ngrijnë”, e moshuara qan mes rrënojave, pret me pikëllim shenja jete nga nipërit dhe mbesat

Një grua e moshuar qan mes rrënojave, duke pritur që të kuptojë nëse mbesat dhe nipërit e saj që kanë mbetur nën rrënoja janë ende gjallë.

13:29 Para dhe pas! Shkalla e rëndë e dëmit në Turqi nga tërmeti vdekjeprurës

Shkalla e dëmit të shkaktuar në ndërtesat në zonën përreth epiqendrës së tërmetit në Turqi, në qytetet Iskenderun dhe Gazantiep është shumë e madhe. Më poshtë janë një pjesë e vendeve se si kanë qenë para tërmetit dhe pas tërmetit.

13:02 Ishte parashikuar tërmeti vdekjeprurës në Turqi? Çfarë postoi studiuesi sizmik tre ditë më parë

Një studiues sizmik, Frank Hoogerbeets duket se e kishte parashikuar tri ditë më parë tërmetin e fuqishëm në Turqi. Një tërmet i fuqishëm goditi sot Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar mbi 1 mijë të vdekur dhe qindra të plagosur.

13:00 “Goditja zgjati 100 sekonda”/ Sizmologu britanik: Mund të ketë pasgoditje më të madhe se kryesorja, ishte lloji më i keq

Sizmologu britanik Stephen Hicks ka paralajmëruar se Turqia dhe Siria mund të presin mijëra pasgoditje për javët apo muajt e ardhshëm. Teksa ka folur pak para goditjes së tërmetit të dytë, 7.5 ballë, Stephen Hicks, nga University College London, ai shpjegoi se 11 minuta pas tërmetit me magnitudë 7.8 të mëngjesit të sotëm, u regjistrua një pasgoditje prej vetëm një njësie me magnitudë më pak.

12:34 Lot, dhimbje dhe rrënoja/ Momentet tragjike në Turqi përmes fotove

Turqia dhe Siria po përballen me një prej ngjarjeve më të rënda këtë të hënë, pasi u goditën nga një tërmet me magnitudë 7.8 dhe paslëkundje të fuqishme. Qindra persona të tjerë raportohet se janë plagosur në të dy shtetet. Turqia gjendet mbi një nga pllakat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet, ndërsa epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep.

12:03 Lëkundjet në Turqi, Erdogan: Katastrofa më e madhe që nga tërmeti i vitit 1939

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan e cilësoi si katastrofën më të madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan, tërmetin me magnitudë 7.8 në orët e para të mëngjesit.

Erdogan: Mëngjesin e sotëm në ora 04:17 na ka tronditur katastrofa më e madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan. Institucionet shtetërore me të gjitha shërbimet janë mobilizuar në rajonin e prekur nga tërmeti. Nga tërmeti në Turqinë kanë humbur jetën 912 persona ndërsa 5.385 janë plagosur. Vazhdojnë aktivitetet e kërkim-shpëtimit të qytetarëve tanë që kanë mbetur nën rrënoja në rajonet e goditura nga tërmeti. Më shumë se 900 shpëtimtarë aktualisht janë duke kërkuar të zhdukurit pas tërmetit, numri i shpëtimtarëve vazhdimisht po rritet. Deri më tani nga rrënojat janë shpëtuar 2.470 persona ndërsa numri i ndërtesave të rrënuara ka shkuar në 2.818. Ka filluar vendosja e kontakteve me vendin tonë me qëllim të ndihmës ndërkombëtare. NATO, BE dhe 45 vende kanë ofruar ndihmë për Turqinë.

11:04 Greqia përkrah Turqisë, Micotakis: Greqia po mobilizon burimet e saj për ndihmë

Në një mesazh në llogarinë e tij në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka theksuar se Greqia ndodhet në krah të Turqisë dhe Sirisë pas katastrofës biblike dhe qindra viktimave që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm në këto dy shtete. Në postimin e tij, nga të parët e udhëheqësve të huaj që kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj dy vendeve , Mitsotakis shkruan: “I trishtuar thellësisht nga fatkeqësia shkatërruese e tërmetit në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me të gjithë njerëzit që janë prekur. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, tha ai.

11:00 Epiqendra e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, Gaziantepi me numrin më të lartë të viktimave

Epiqendra e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes ishte afër qytetit të Gaziantep, ndërsa qytetarët në të gjithë Turqinë, Sirinë, Libanin, Qipron dhe Izraelin ndjenë lëvizjen e tokës nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë. Qyteti i madh turk Gaziantep ka numrin më të lartë të vdekjeve deri më tani, me 80. Gaziantep ndodhet rreth 90 km nga kufiri sirian dhe i njohur historikisht si Antep. Disa tërmete të tjera goditën qytetin pas tërmetit të fuqishëm 7.8 ballë, duke përfshirë një me magnitudë 6.4 dhe një tjetër me magnitudë 6.5.

10:54 Tërmeti në Turqi/ Shkollat pezullohen për një javë në zonat e prekura

Shkollat në 10 qytetet dhe provincat në të gjithë Turqinë të goditura nga tërmeti do të mbyllen për një javë, tha zëvendëspresidenti i vendit, Fuat Oktay. Qytetet dhe provincat janë Kahramanmaraş, Hatay, Gaziantep, Osmaniye, Adıyaman, Malatya, Şanlıurfa, Adana, Diyarbakır, Kilis.

10:52 Ende ka shpresë! Një grup fëmijësh nxirren të gjallë nga rrënojat e tërmetit të rëndë në Turqi 

10:42 Gjermania e gatshme të ndihmojë Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit

Gjermania është e gatshme të ofrojë ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas një tërmeti të fuqishëm që tronditi rajonin herët të hënën, tha ministri i jashtëm i Gjermanisë. “Mendimet e mia janë me familjet e atyre që humbën jetën në këta #tërmete të tmerrshme dhe me ata që ende kanë frikë për të afërmit, miqtë apo fqinjët e tyre”, shkroi Annalena Baerbock në Twitter. “Së bashku me partnerët tanë, ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë.”

10:33 “U zgjova i tmerruar”, banorët e Turqisë ende të frikësuar nga lëkundjet e tërmetit

Banorët e Turqisë kanë përjetuar tmerrin gjatë orëve të para të mëngjesit, pasi tërmeti me magnitudë 7.8 goditi zonën jugore. “Pikturat ranë nga muret e shtëpisë”, tha Samer, një banor i kryeqytetit sirian Damaskut për Reuters. “U zgjova i tmerruar. Tani jemi të gjithë të veshur dhe qëndrojmë te dera.” Në qytetin turk të Gaziantepit, Erdem përshkroi ndjenjën e tronditjes:  Unë kurrë nuk kam ndjerë diçka të tillë në 40 vitet që kam jetuar.

09:46 Tragjedia në Turqi/ Qytetarët e mbetur jashtë nuk favorizohen as nga moti, zona pritet të përfshihet nga dëbora

Qytetarët e Turqisë përveç tmerrit të përjetuar nga tërmeti po përjetojnë edhe temperaturat ekstreme. Temperaturat pak mbi pikën e ngrirjes po ndodhin në provincën Gaziantep të Turqisë, me reshje shiu dhe bore që parashikohen të hënën dhe të martën. Reshjet e borës do të jenë më të përhapura gjatë ditës së hënë dhe do të zgjasin deri të martën. Bora do të jetë më e madhe në lartësitë më të larta, por mund të bjerë deri në kufirin me Sirinë.

FOTO GALERI
1/73

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA