All Star Game, të gjithë kundër “Mbretit” James

31/01/2023 22:49

Në NBA nevojiten afërsisht edhe nga 30 ndeshje për çdo franchise për të mbyllur sezonin e rregullt, përpara se të nisë edhe faza kulmore e play off-it, sidoqoftë fansat e shumtë të kampionatit më spektakolar në planet janë pushtuar nga emocionet e takimit të përvitshëm, që mbahet çdo vit All – Star Game.

Sivjet privilegjin për të pritur ndeshjen më të famshme të ekzibicionit që organizohet në sportin e basketbollit do ta ketë kryeqyteti i Shtetit të Utah, Salt Lake City. Bëhet fjalë për shtëpinë e Utah Jazz Vivint Arena, që më parë quhej ndryshe Energy Solutions Arena, një pallat sporti I shkëlqyer, që mund të mbajë mbi shpinë në një ndeshje basketbolli deri 18.306 spektatorë. Për herë të fundit Salt Lake City e ka pritur një sfidë të tillë tre dekada më parë, pra në vitin 1993, në impiantin e vjetër Delta Center, ku ndeshja madje pati nevojë për kohën shtesë për të nxjerrë një fitues.

Përfundimisht asokohe triumfoi Perëndimi me rezultatin 135-132, duke kënaqur pa masë pjesën më të madhe të pranishmëve. Një duel I paharrueshëm, ku u shpallën në fund si MVP pikërisht dy lojtarët legjendarë të Utah Jazz, John Stockton dhe Karl Malone, të cilët ishin pjesë e seleksionit që mposhti një skuadër të mbushur me yje, ku spikaste pesëshja titullare Michael Jordan, Scottie Pippen, Isiah Thomas, Larry Johnson dhe Shaquille O’Neal.

Tani ky lloj formati ka ndryshuar dhe nuk ka më përballje thjesht ndërmjet basketbollistëve që ndahen në bazë të Konferencave Lindje apo Perëndim. Për të gjashtin vit rresht njëri nga ekipet titullohet Team LeBron, gjithsesi do të jetë hera e tretë që lojtari me më shumë përzgjedhje radhazi, plot 19, do të masë forcat me një skuadër të udhëhequr nga basketbollisti grek me origjinë nigeriane Giannis Antetokounmpo.

Dy përplasjet e mëparshme u mbyllën me triumfin e Mbretit James, që triumfoi në vitet 2019 e 2020 në Charlotte dhe Chicago respektivisht me shifrat 178-164 dhe 157-155, ndërsa sfidat e tjera janë luajtur ndaj seleksioneve Team Stephen dhe Team Durant, madje me ekipet që kryesoheshin nga veterani Kevin Durant ka pasur dy ndeshje të tilla, pikërisht në dy edicionet e fundit në Qytetet e Atlanta-s dhe Cleveland-it, të cilat janë fituar gjithashtu nga Team LeBron, përkatësisht me rezultatet 170-150 e 163-160.

Sa për kuriozitet që kur ka ndryshuar ky lloj formati “Mbreti” James nuk ka humbur akoma asnjë përballje nga këto pesë ndeshje, sepse edhe në takimin hapës ndaj Stephen Curry-t në vitin 2018, në Staples Center të Los Angeles-it, Team LeBron ia doli mbanë për të fituar ngushtë me rezultatin 148-145.

Në fund të atij takimi veterani nga Ohio u vlerësua edhe si lojtari më i vlefshëm i ndeshjes, gjë që në fakt përbën edhe rastin e vetëm kur LeBron James u shpall si MVP në pesë sfidat e fundit, pra me këtë lloj formati të ndryshuar.

Naryrisht “Mbreti” James përfaqëson një ndër basketbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti dhe 38-vjecari nga Akroni është vlerësuar gjithashtu si MVP edhe në dy ndeshje të tjera All-Star Game, në vitet 2006 e 2008. Pra edicioni I 72 I këtij eventi madhështor do të mbahet pikërisht në 30-vjetorin e takimit të fundit All-Star Game që është mbajtur në Salt Lake City dhe privilegjin për ta transmetuar drejtpërsëdrejti anembanë Shteteve të Bashkuara do ta ketë për të 21 vit rresht kanali televiziv TNT.

Është përcaktuar gjithashtu edhe trajneri i Team Giannis, që do të jetë 34-vjecari nga Rhode Island Joe Mazzulla, i cili qershorin e kaluar mori timonin e franchise-t të famshëm nga Massachusetts Boston Celtics, pasi jeshilët janë shkëputur në Konferencën e Perëndimit, teksa kryesojnë me bilancin 36 fitore e 15 humbje, pas 51 ndeshjeve të luajtura.

Në krahun tjetër, pra në Konferencën e Perëndimit rivaliteti është më I madh dhe për momentin kandidatë janë trajnerët e Denver Nuggets dhe Memphis Grizzlies, Michael Malone e Taylor Jenkins, skuadrat e të cilëve udhëheqin divizionet në veriperëndim e jugperëndim, respektivisht me bilancet 34-16 e 32-18 pas 50 sfidave të para, në “regular season”.

Bën përshtypje fakti që LeBron James tani barazohet me 19 përzgjedhje në All-Star Game me basketbollistin legjendar Kareem Abdul – Jabbar, që kryesonte pra me 19 ndeshje të tilla. Lojtarët rezervë të këtij aktiviteti, për sa i përket edicionit të sivjetshëm do të shpallen më datën 2 shkurt, ndërkohë dihen pesëshet titullare.

Te Team LeBron pra kapiten është pikërisht ylli I Los Angeles Lakers, Mbreti James, që do të ketë përkrah në formacionin fillestar organizatorin e Dallas Mavericks Luka Doncic, veteranin e Golden State Warriors Stephen Curry, qendrën e Denver Nuggets Nikola Jokic si dhe 22-vjecarin tepër të talentuar Zion williamson, që aktivizohet me Neë Orleans Pelicans. Në anën tjetër, pra në seleksionin e “yllit” të Milwaukee Bucks Giannis Antetokounmpo do ta nisin ndeshjen e All-Star Game-t si titullarë: organizatori I Brooklyn Nets Kyrie Irving, sulmuesët Kevin Durant e Jayson Tatum që luajnë përkatësisht për ekipet Brooklyn Nets e Boston Celtics si dhe 26-vjecari Donovan Mitchell, që luan si “shooting guard” për franchise-n e Cleveland Cavaliers.

Top Channel