Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë tension mes MotoGP Sports Entertainment Group(ish-Dorna) dhe pilotëve të klasit mbretëror të Botërorit të MotoGP pasi një përqindje shumë e lartë e këtyre të fundit preferon që fundjavën që vjen të mos e zhvillojnë Çmimin e Madh të Katarit për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme mes SHBA-Izrael dhe Iranit.

Problemi që shohin pilotët dhe një pjesë e mirë e paddock-ut është frika se mos rikthehet lufta në momentin kur ata të jenë në Losail, por promotori i kampionatit MotoGP Sports Entertainment siguron se ka besim te garancitë që autoritetet e vendit kanë dhënë për sigurinë për zhvillimin e Çmimit të Madh të Katarit. Për më tepër është parashikuar një plan evakuimi për të gjithë pjesëtarët e paddock-ut në rast se do të jetë e nevojshme e sidomos një garanci financaire prej 100 milionë eurosh për mbulimin e shpenzimeve të jashtëzakonshme për dëmet dhe kostot që nuk mund të mbulohen nga siguracionet.

E gjithë kjo iu është bërë e ditur drejtuesve të skuadrave gjatë një mbledhjeje të zhvilluara në Sepang përpara fillimit të garave duke lënë të kuptohet se pas kësaj nuk do të kishte më takime me pilotët duke theksuar se ata janë çështje e skuderive dhe se do të ketë sanksione ekonomike dhe sportive për ata që do të mungojnë në Çmimin e Madh të Katarit pa ndonjë arsye të fortë. Nuk specifikohen sanksionet, por sipas të përditshmes spanjolle AS flitet për gjoba dhe sanksione të rënda.

Takimi i fundit që pilotët zhvilluan për të mbajtur një qëndrim të përbashkët u mbajt të premten në mbrëmje, në paddock-un e Sepangut. Meqenëse nuk iu vu në dispozicion një sallë për këtë mbledhje, ata u detyruan ta zhvillonin atë në zyrat e Yamaha. Tani mbetet të shihet se si do të reagojnë kur të mësojnë drejtpërdrejt nga drejtuesit e skuadrave të tyre se nuk ka më asgjë për të negociuar: ose do të garojnë në Katar, ose do të përballen me sanksione.

Top Channel