Me fitoren e së shtunës ndaj Alaves, Barcelona rifitoi më shumë se kreu i klasifikimit dhe besimit. Skuadra katalanase dha mesazhin se pavarësisht dy humbjeve radhazi me PSG dhe Realin e Madridit, nuk ka ndërmend të lëshojë vendin e parë dhe nxori edhe njëherë në pah kualitetet e skuadrës ku rekorde nuk vendosin vetëm yjet e saj si Raphinha apo Yamal, por edhe Hansi Flick po shkruan histori.

Trajneri gjerman, ndaj Alaves regjistroi fitoren e tij të 100 në pankinën e Barcelonës dhe këtë shifër e ka arritur në një kohë rekord që e shndërron atë në një legjendë të blaugranave; 100 fitoret e Flick kanë ardhur pas 131 ndeshjeve, një statistikë që e bën atë trajnerin e dytë më të mirë në të gjithë historinë e Barcelonës.

Vetëm Luis Enrique ka bërë më mirë se Flick që e ka arritur shifrën e 100 fitoreve në 126 ndeshje të zhvilluara. Flick ka regjistruar nga 44 fitore në secilin prej sezoneve 2024/25 dhe 2025/26 dhe 12 në sezonin aktual në 14 ndeshje. Në këto 100 fitore është evidentuar gjithashtu loja ofensive e aplikuar prej tij; Barcelona ka shënuar 375 gola dhe ka pësuar 153. Dhe jo vetëm kaq, trajneri gjerman ka arritur një bilanc me 76.33% të ndeshjeve të fituara, shifra që e vendosin Flick në historinë e Barcelonës si trajneri me përqindjen më të lartë të fitoreve duke iu referuar të gjitha ndeshjeve dhe jo vetëm për 100 ndeshjet e para.

Për më tepër Flick ka fituar 5 tituj në dy sezonet e mëparshme si trajner i Barcelonës dhe nuk ka ndërmend të ndalet e as të shohë prapa, por e ka të qartë se cila fitore spikat mbi të gjitha në këtë seri prej 100 ndeshjesh.

‘Kisha shpresën të drejtoja Barcelonën në 100 ndeshje dhe tani janë 100 të fituara. Nëse do të zgjidhja fitoren time të preferuar, është suksesi im i parë në El Clasico me Realin në Madrid. Ai triumf më ngjall kujtime të bukura-u shpreh trajneri gjerman duke ditur rëndësinë që ka për tifozët e Barcelonës fitorja ndaj rivalit të përjetshëm

Hansi Flick është një motiv i madh krenarie edhe për Joan Laportën që vetëm përpara pak muajsh i rinovoi kontratën deri në 2028 me opsion zgjatjen e saj edhe për një vit.

Top Channel