
Marcus Thuram po luan sezonin e katërt dhe të fundit me M’Gladbach.
Sulmuesi i kombëtares franceze ndodhet në vitin e fundit të kontratës me klubin gjerman dhe në verë do të largohet me parametra zero, pasi ka vendosur të mos rinovojë.
Shumë klube të njohura europiane interesohen për 25-vjeçarin, autor i 31 golave në Bundesliga, ndërkohë që babai i tij, i mirënjohuri Lilian Thuram, zbulon edhe ëndrrën e madhe të Marcus në një prononcim për RAC1.
“Natyrisht që si çdo prind edhe unë dua më të mirën për fëmijët e mi. Për Marcus do të ishte një ëndërr të luante me Barcelonën.
Katalanasit gradualisht po kthehen sërish një skuadër e madhe, do të ishte diçka e bukur nëse Marcus do të luante në Camp Nou”, u shpreh ish-mbrojtësi francez.
Thuram fitoi Kupën e Botës (1998) dhe Europianin (2000) me “Gjelat”, ndërkohë që gjatë karrierës së tij u aktivizua për dy sezone (2006-2008) me Barcelonën, klub me të cilin fitoi Superkupën e Spanjës (2006)./ Super Sport
Top Channel