Tirana “kalon në emergjencë”/ Bardheblutë ende në pritje të lirimit të merkatos

24/01/2023 16:10

Kryesuesja e Abissnet Superiores Tirana është një ndër skuadrat më aktive në këtë periudhë merkatoje dimërore.

Vetëm nga dy lojtarët e shitur deri më tani, njëri zyrtare si Redon Xhixha i cili u largua drejt Karabakut të Azerbaixhanit për 550.000 euro dhe tjetri Marsel Ismailgeci drejt Bosnje Hercegovinës për 150.000 euro, ka arkëtuar rreth 700.000 mijë euro, një shumë thuajse sa gjysma e shpenzimeve vjetore të klubit bardheblu.

Por në aspektin sportiv kjo është një ‘dhimbje koke’ për trajnerin Orges Shehi, i cili në prag të ndeshjes me Erzenin në kampionat, e gjen ekipin thuajse pa asnjë mesfushorë, pa Kallakun, Limajn të larguar, Qefaliajn me virozë së bashku me Gjumsin, Deliu me kartona, duke i shtuar këtyre mungesave edhe Xhixhën golashënuesin kryesor dhe kapitenin Ismailgeci.

Aktualisht Tirana veç largimeve ka arritur të firmosë kontrata me dy përforcime të rëndësishëm në emra si Redi Lushkja dhe Kristal Abazaj, por të dy lojtarët ende nuk kanë mundur të federohen për shkak të bllokimit të merkatos që drejtuesit e Tiranës shpresojnë ta zgjidhin përpara ndeshjes së së enjtes.

Pas dy fitoreve të fundit në kampionat me Laçin dhe Bylisin bardheblutë janë në krye të Abissnet Superiores sërish, por me statusin e kampionëve në fuqi dhe me synimin për ta përsëritur atë sukses, kryeqytetasve tani i kanë mbetur pak lojtarë nga ata që ngritën trofeun, pasi 10 prej atyre lojtarëve të eidicionit të shkuar janë larguar.

Top Channel