Vjen edhe zyrtarizimi i klubeve, Partizani ruan përqindje nga kartoni i Skukës

23/01/2023 22:25

Xhuliano Skuka u transferua nga Partizani te Metz në Ligue 1. Dy klubet kanë zyrtarizuar gjithçka në faqet zyrtare.

Metz ka postuar një video përmbledhëse të momenteve më të bukura të sulmuesit dibran.

24-vjeçari u shit 1.4 milionë euro nga “Demat”, transferim rekord në futbollin shqiptar. Skuka zgjidhi fanellën me numër 11 dhe firmosi deri në vitin 2026 me skuadrën që synon rikthimin në elitën e futbollit francez.

NJOFTIMI I PARTIZANIT

Klubi i futbollit Partizani njofton sot arritjen e marrëveshjes me FC Metz për transferimin e Xhuliano Skukës në kampionatin francez të futbollit. FC Metz është një prej klubeve me traditë në futbollin transalpin duke fituar dy trofe të Kupës së Francës dhe dy Kupa të Ligës.

Transferimi i sulmuesit 24 vjeçar është arritur për një shifër rekord jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe në rajon. Xhuliano Skuka bëhet i pari lojtar shqiptar që largohet nga Kategoria Superiore për të vijuar karrierën në Evropën Perëndimore me një akord të tillë…

Partizani ruan të drejtën edhe të 20% të kartonit të lojtarit në transferimin e ardhshëm, ndërkohë që është përkujdesur që edhe kontrata e lojtarit të jetë në kushtet më optimale të mundshme. 

Përgjatë një viti me të kuqtë, Skuka ishte shembull si brenda edhe jashtë fushës së blertë. Me punën dhe dedikimin e tij ai realizoi gola deçizivë dhe performanca shumë pozitive, duke u kthyer në një prej idhujve të tifozerisë së kuqe dhe duke arritur njëkohësisht të jetë pjesë e ekipit tonë Kombëtar.

Klubi dëshiron të falënderojë Xhuliano Skukën për kontributin dhe emocionet që na dhuroi me fanellën e kuqe dhe i uron njëkohësisht shumë suksese në aventurën e tij të re.

Xhulio njëri prej nesh…

P.M.T.P.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA