Republikanët dënojnë ‘hipokrizinë’ e presidentit Biden për dosjet ‘e klasifikuara’ (fotot)

16/01/2023 17:32

Partia republikane e SHBA ka akuzuar sot presidentin Joe Biden për ‘hipokrizi’ pas gjetjes së një mase të madhe dokumentesh sekrete në shtëpinë e tij private në Delaware.

“Nëse jeton në një shtëpi prej xhami, mos rri duke gjuajtur me gurë,” tha me ironi kongresmeni nga Nebraska, Don Bacon për rrjetin ABC, duke iu referuar akuzave të mëparshme të Biden për pararendësin Donland Trump, kur sipas raportimeve edhe atij iu gjetën dokumente të klasifikuara shtetërore që nuk mund të mbaheshin në banesa private.

Të paktën 20 dosje të lidhura me kohën kur Biden ishte zv-president janë gjetur në rezidencën e tij private dhe në një zyrë që ai përdorte më parë në  Uashington.

“Si mund të jetë një njeri kaq i papërgjegjëshëm?” kishte thënë më parë Biden kur Trump u akuzua për të njëjtat shkelje.

Trump vijon të jetë nën hetim për çështjen e qindra dosjeve të klasifikuara të gjetur në rezidencën e tij Mar-a-Lago vitin e kaluar.

Nuk është ende e qartë përmbajtja e dokumenteve të gjetura në zotërim të Biden, por rrjeti CBS Neës thoshte se disa prej tyre ishin të shënuara me vulë “Top Secret”, që është niveli më i lartë i sekretit.

Sipas ligjit të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në arkivat kombëtare në fund të mandatit.

Republikani James Comer nga Kentucky, tha për rrjetin CNN: “Teksa ai akuzonte Trump për zotërim dokumentesh, e dinte shumë mirë se edhe vetë ishte duke e bërë, dhe kjo është një hipokrizi e madhe”.

Copa e parë e dokumenteve ishte zbuluar më 2 nëntor, disa ditë para zgjedhjeve të mes-mandatit në SHBA, por vetëm javën që shkoi çështja u bë publike.

Marc Short, këshilltar i epokës së Trump e Mike Pence, tha dje se lajmi ishte fshehur qëllimisht në ditët e fundit të fushatës elektorale.

Disa republikanë të lartë kanë kërkuar publikimin e të dhënave të vizitorëve në rezidencën e Biden, për të parë se cilët kanë pasur akses në dokumentet sekrete.//BBC//

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA