Në shtëpi iu gjetën armë zjarri dhe simbole naziste, 19-vjeçari përfundon në pranga në Itali

14/10/2026 22:44

Një 19-vjeçar nga zona e Pavias, në Itali, është arrestuar pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën armë zjarri, simbole naziste dhe materiale propagandistike të lidhura me ideologjinë neonaziste.

I riu, i cili dyshohet se kishte lidhje me qarqe radikale skinhead, po hetohet për propagandë dhe nxitje të veprave penale për motive diskriminimi racor, etnik dhe fetar.

Hetimet nisën nga analizimi i komunikimeve në një grup WhatsApp me emrin “2B”, ku ishin publikuar mesazhe raciste, referenca ndaj dhunës dhe përmbajtje të lidhura me ekstremizmin e djathtë.

Sipas dokumenteve të hetimit, në biseda shfaqeshin edhe referenca ndaj Adolf Hitlerit dhe kampeve naziste të shfarosjes. Në një prej mesazheve, lidhur me një person transgjinor, i riu dyshohet se kishte shkruar se kishte edhe më shumë arsye për ta masakruar atë.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu në profilin e rrjeteve sociale që i atribuohet 19-vjeçarit publikime me simbole fashiste dhe naziste, si dhe fotografi të armëve të zjarrit.

Gjatë kontrollit të kryer nga policia Digos e Milanos, me mbështetjen e efektivëve të Pavias, u sekuestruan disa armë dhe materiale të lidhura me ideologjinë naziste.

Mes sendeve të sekuestruara ishin:

-Dy pistoleta dhe një pushkë automatike.

-Shpata, thika, kamë dhe armë të tjera të ftohta.

-Flamuj me svastika dhe simbole të njësive SS.

-Materiale propagandistike, riprodhime dhe manuale që lidhen me Adolf Hitlerin dhe Benito Musolinin.

Çështja lidhet me një hetim të mëparshëm, i cili më 22 prill çoi në arrestimin e një tjetër personi nga zona e Pavias, të dyshuar si administrator i grupit online “Terza Posizione”.

Hetimet, të koordinuara nga prokurori Alessandro Gobbis, synojnë të zbardhin aktivitetin e personave të përfshirë dhe lidhjet e mundshme mes tyre.

Pas arrestimit, 19-vjeçari është dërguar në burgun e Vogherës, me urdhër të Prokurorisë së Pavias, në pritje të vleftësimit të arrestimit nga autoritetet gjyqësore.

Top Channel