Hakerat sulmojnë sistemet e ftohjes, qindra supermarkete në Francë përballen me humbje të mëdha

14/10/2026 16:40

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet pas një sulmi të gjerë kibernetik që preku sistemet e ftohjes në qindra supermarkete, duke shkaktuar humbje të mëdha ushqimore dhe zjarre. Sulmi mund të ketë prekur edhe vende të tjera evropiane.

Prokuroria e Parisit njoftoi të hënën se bëhet fjalë për një sulm të përmasave të mëdha, që ka prekur frigoriferët e lidhur me internetin në disa prej kompanive kryesore të tregtisë ushqimore në vend.

Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, ka udhëzuar Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Francës (ANSSI) të hetojë incidentin. Ndërkohë, autoritetet franceze po bashkëpunojnë me homologët evropianë, pasi dyshohet se sulmi mund të ketë prekur edhe vende të tjera.

Sipas Felix Aime, analist i lartë i inteligjencës për kërcënimet kibernetike në kompaninë Sekoia Threat Detection and Research, incidente të ngjashme janë raportuar edhe në Spanjë, Portugali, Poloni, Gjermani dhe Belgjikë.

Rrjetet e mëdha të shitjes me pakicë kanë raportuar dëme të konsiderueshme. Të gjitha produktet ushqimore të prekura u hodhën për të shmangur rrezikun për shëndetin e konsumatorëve.

Pamje nga Parisi treguan punonjësit e një supermarketi duke hedhur sasi të mëdha ushqimesh të ngrira në kontenierë mbeturinash. Akulli i shkrirë dhe akulloret që kishin dalë nga paketimet e dëmtuara përfunduan edhe në rrugë.

Mediat e huaja shkruajnë se, humbjet mund të arrijnë në dhjetëra milionë euro. Sistemet e ftohjes në supermarketet moderne menaxhohen zakonisht përmes paneleve të kontrollit që rregullojnë temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve në të gjithë dyqanin.

Këto sisteme mund të aksesohen përmes internetit, duke u mundësuar kompanive të mirëmbajtjes të kryejnë rregullime nga distanca.

Sipas një burimi pranë zyrës së kryeministrit francez, ANSSI ka identifikuar një dobësi në softuerin e furnizuar nga kompania daneze Danfoss. Kompania konfirmoi se ishte në dijeni të incidenteve në Francë, të cilat prekën një numër të kufizuar sistemesh të menaxhimit të ftohjes.

Danfoss deklaroi se pajisjet e prekura përdornin versione të vjetruara të firmuerit, programit që kontrollon funksionimin e pajisjeve elektronike. Kompania tha se prej kohësh u kishte rekomanduar klientëve të instalonin përditësimet më të fundit dhe të kalonin nga sistemet e vjetra te zgjidhjet moderne.

Më 9 gusht, ekipi i kërkimit Team82 i kompanisë së sigurisë kibernetike Claroty publikoi një raport mbi dobësitë e kontrolluesit Danfoss AK-SM 800A. Sipas raportit, përditësimet e lëshuara nga Danfoss adresonin probleme që mund t’u lejonin sulmuesve të anashkalonin mekanizmat e autentikimit dhe të ekzekutonin kode në pajisjet e komprometuara. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar mënyrën e saktë të sulmit dhe shtrirjen e tij.

Probleme edhe në Holandë dhe në SHBA

Ndërkohë, kompania holandeze Ahold Delhaize, që zotëron rrjetin më të madh të supermarketeve në Holandë, Albert Heijn, njoftoi se po përballej me një incident sigurie në rrjetin e saj kompjuterik.

Kompania bëri të ditur se kishte çaktivizuar përkohësisht disa sisteme si masë parandaluese. Përdoruesit e aplikacionit të saj u njoftuan se porositë ushqimore nuk mund të dërgoheshin për shkak të një incidenti të sigurisë kibernetike.

Dyqanet fizike vijuan të qëndronin të hapura, ndërsa agjencia holandeze e lajmeve ANP raportoi një rritje të porosive të dërgesave në rrjetet konkurruese.

Ahold Delhaize deklaroi se nuk kishte arsye për të lidhur incidentin e saj me sulmet ndaj supermarketeve franceze.

Sipas raportimeve, incidente të ngjashme në fund të gushtit kishin prekur edhe rreth një duzinë dyqanesh ushqimore të ushtrisë amerikane, ku u shkaktuan humbje ushqimore pas problemeve me frigoriferët.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse incidentet në vende të ndryshme kanë të njëjtën origjinë.

Sulmi ngre shqetësime të reja për sigurinë e infrastrukturës digjitale në sektorin ushqimor, ku pajisjet e lidhura me internetin mund të bëhen pika të dobëta me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë ushqimore, furnizimin e konsumatorëve dhe ekonominë e kompanive.

Top Channel