Në sesionin e ri parlamentar pritet të shqyrtohen disa projektligje me rëndësi, që kanë ngjallur jo pak debate që në prezantimin e tyre.
Pezull ka mbetur amnistia fiskale një draft i risjellë tashmë në Kuvend me ndryshime nga ai fillestar, që në fakt edhe pse nuk ka marrë ende miratimin e organizmave ndërkombëtarë, vetë qeveria është zotuar ta çojë këtë nismë përpara, duke mos përjashtuar kështu mundësinë e miratimit të saj në këtë sesion të ri.
Përjashtim nuk bëjnë as pasaportat e arta të cilat mbeten pezull për shkak të kundërshtive, qe erdhen jo vetëm nga opozita por edhe nga të huajt.
Një tjetër draft që do të kalojë në parlament është edhe ai për lojërat e fatit. Projektligji nuk është hedhur ende për konsultim, por Financat kanë deklaruar se do të miratohet brenda 3-mujorit të parë të vitit.
Po ashtu, ishte parashikuar që këtë vit të miratohej dhe të hynte në fuqi edhe ligji për tatimin mbi të ardhurat që do të niste me futjen në skemën e tatimit të profesionistëve të lirë që ofrojnë shërbime, por për shkak të kundërshtive që hasi nga grupet e interesit, drafti që nisi shqyrtimin në Komisionin e Ekonomisë u vendos që të shtyhet për një moment të dytë.
Por, ende nuk bëhet me dije nëse ligji me ndryshime të rëndësishme në mënyrën e taksimit do të marrë apo jo miratimin e deputetëve në këtë sesion parlamentar.
Emërimi i ri i Avokatit të Popullit po ashtu është një tjetër çështje që prêt miratimin e deputetëve të parlamentit, si dhe amnistia për të burgosurit një propozim i Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, që kërkojnë 84 vota, pra edhe ato të opozitës.
Top Channel