“25 mln € për ushtarët dhe familjet e të rënëve! Mudryk? Kam ndjenja të përziera”

16/01/2023 16:30

Shakhtar Donetsk shiti Mykhailo Mudryk te Chelsea për 100 milionë € (70+30 në formë bonuesh).

Sulmuesi 22-vjeçari firmosi deri në vitin 2031 me “Blutë e Londrës”, ndërkohë që presidenti i klubit ukrainas, Rinat Akhmetov, deklaroi se 25 milionë € do t’i dhurojë për ushtarët që po luftojnë për mbrojtjen e qytetit të Mariupolit.

“Së pari, unë dua të falënderoj të gjithë botën e qytetëruar për ndihmën e Ukrainës. Falë ushtrisë ukrainase, popullit ukrainas dhe mbështetjes së madhe nga e gjithë bota e qytetëruar, sot ne mund të flasim për futbollin në vendin tonë. Vetëm së bashku do ta mposhtim të keqen që ka zaptuar shtëpinë tonë.

Ndjenjat e mia janë të përziera: nga njëra anë jam i lumtur dhe krenar për Mykhailon, një djalë që ka treguar se si e pamundura mund të bëhet e mundur me talent dhe punë. Jam i sigurt që e gjithë Europa do të duartrokasë futbollin e tij brilant.

Nga ana tjetër, unë nuk e kam fshehur kurrë që ëndërroj të fitoj trofe europianë, që nënkupton të kemi lojtarë si Mudryk në kampionatin tonë. Fatkeqësisht tani nuk është e mundur, sepse në Ukrainë po zhvillohet një luftë e padrejtë që Federata Ruse bën kundër nesh, por jam i bindur se do të fitojmë.

Do të luajmë një miqësore kundër Chelseat në Donbass Arena në Donetsk të Ukrainës. Duhet t’i afrohemi asaj dite. Kam vendosur të krijoj projektin ‘Zemra e Azovstal’ për të ndihmuar ushtarët që po mbrojnë Mariupolin dhe familjet e të rënëve. Sakrifica e tyre është e paprecedentë në historinë moderne.

Vetëm falë sakrificës dhe guximit të tyre në frenimin e armikut, të gjithë ne mendojmë se fitorja e Ukrainës është e pashmangshme. Sot ndaj veç rreth 25 milionë € për të ndihmuar ushtarët tanë dhe familjet e tyre.

Për të respektuar parimet e transparencës, ne do të krijojmë një ekip profesional dhe të pavarur që do të ndërveprojë me ushtarët e Azovstal, familjet e tyre dhe vullnetarët”, u shpreh kreu i klubit ukrainas.

Top Channel