Ten Haag: Zëvendësimi i Martial na prishi lojën, më pëlqeu shpirti i reagimit

14/01/2023 16:54

Eric Ten Haag fiton derbin e parë të Manchesterit, teksa “djajtë e kuq” ia dolën të mposhtin City-n 2-1 me përmbysje, në një 90-minutësh mjaft spektakolar dhe emocionues.

Trajneri holandez duket se më në fund ia ka dalë të rikthejë në shina Manchesterin e tij, pasi ka fituar të 9 ndeshjet e fundit zyrtare, teksa pas derbit nuk e ka fshehur kënaqësinë për atë që skuadra tregoi në fushë.

“Në pjesën e parë bëmë gjithçka në mënyrë perfekte, ndërsa pas zëvendësimit të Martial, humbëm terren dhe kundërshtari na ndëshkoi. Megjithatë më pëlqeu jashtëzakonisht shumë shpirti i skuadrës dhe reagimi pas golit të pësuar. Ishte një sukses i merituar dhe dua t’i përgëzoj të gjithë për atë që dhanë në fushë”, u shpreh holandezi.

Nuk mungoi as një koment i Ten Haag për golin e Bruno Fernandes, që solli barazimin e përkohshëm, por që u kontestua jo pak nga “citizens”.
“Unë kisha një kënd të vështirë për ta parë, por rregullorja është e qartë dhe Rashford nuk e preku topin. Nga këndvështrimi im, Rashford nuk ndikoi në aksion, ndaj goli ishte i rregullt”, tha holandezi.

Top Channel