Vllaznia rihap çështjen e kryesimit të kampionatit në këtë mes sezoni. Shkodranët kishin ardhur me synime të qarta në Tiranë për të hapur edhe një herë luftën për titull dhe në pjesën e parë dominuan përballë Partizanit duke krijuar raste e duke thumbuar vazhdimisht portën e Rexhepit.

Por ata nuk ia dolën që të shënonin dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Lëvizjet e Kolelës në pjesën e dytë rezultuan efikase teksa Partizani shënoi golin e avantazhit me anë të Maget të aktivizuar si zëvendësues. Por kryeqytetasit nuk arritën të mbyllnin ndeshjen dhe e pësuan.

Në fillim ishte Jonuzin ai që me golin e tij barazoi shifrat në 1-1, por nuk mbaroi këtu. Kur u mendua se të dyja skuadrat do të ndanin nga një pikë 90 Çoba në shtesë gjen golin e fitores për skuadrën e Mirel Josës duke shokuar vendasit dhe i dhënë mundësinë e festës Vllaznisë së tij që tashmë ngjitet përkohësisht në vendin e tretë.

Kështu, lufta për titull rihapet përsëri dhe të kuqtë humbasin distancën e krijuar me ekipet ndjekëse pasi Tirana rikthehet tek fitorja dhe e bën këtë në një fushë dhe përball një kundërshtari të vështirë si Laçi.

Kurbinasit e nisën shumë mirë ndeshjen, kaluan në avantazh në minutën e dytë me anë të Vasil Shkurtajt, me sulmuesin vlonjat që humbi një shans të artë për të dyfishuar në minutën e 21, por nuk ia doli të dërgonte topin në rrjetë me portën e boshatisur.

Tirana reagoi dhe në minutat shtesë të fraksionit të parë barazoi sfidën falë golit të Bruno Lulajt. Kampionët e nisën mirë edhe pjesën e dytë, sulmuesi i tyre Florent Hasani shënoi golin e avantazhit që do të rezultonte edhe i fundit për këtë takim.

Pjesa e dytë foli më mirë për kryeqytetasit por Mario Dajsinani mbajti në lojë Laçin me pritjet e tij. Vendasit tentuan barazimin, por nuk ia dolën të evitonin humbjen e dytë radhazi në kampionat.

Tirana rikthehet te fitorja pas dy humbjeve në Durrës dhe në derbi, dhe tani numëron 28 pikë, një më pak se Partizani kryesues.
Ndërkohë që takimi tjetër i kësaj të premteje mes Bylisit dhe Kukësit u ndal në barazim pa gola.

Top Channel