“Aromë tradhtie” në Londër, një argjentinas kandidat për Chelsea

11/01/2023 10:45

Chelsea po kalon një nga momentet më të vështira. Dëmtime, mungesë loje dhe rezultatesh, ndërkohë që Graham Potter rrezikon shkarkimin.

Pavarësisht se anglezi e nisi mirë aventurën e tij te “Blutë e Londrës”, në nëntë sfidat e fundit skuadra ka pësuar gjashtë humbje, ecuri që ka mërzitur drejtuesit dhe tifozët.

Sfida e fundit në FA Cup u humb 4-0 ndaj Manchester City. I pari që i doli në krah teknikut Potter ishte kolegu i tij Pep Guardiola, i cili i dërgoi një mesazh presidentit të klubit Todd Boehly, duke deklaruar se Potter ka nevojë për kohë dhe se është i duhuri për të drejtuar një klub të madh si Chelsea.

Megjithatë në mediat britanike e ardhmja e 47-vjeçarit nga Solihull po vihet në diskutim dhe në rast shkarkimi, alternativa më e mundshme për ta zëvendësuar është një argjentinas. Ish-trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino është një nga të preferuarit e drejtuesve të Chelsea.

50 vjeçari është i papunë prej 5 korrikut të vitit 2022 kur ndërpreu bashkëpunimin me PSG. Pochettino ka drejtuar më parë në Premier League skuadrat e Southamptonit dhe Tottenhamit.

Top Channel